image Çekia ndalon disa fluturime për shkak të koronavirusit

Botë

Çekia ndalon disa fluturime për shkak të koronavirusit

news image

Republika Çeke do t’i ndalojë fluturimet me Korenë e Jugut dhe qytetet në veri të Italisë, për shkak të shpërthimit të koronavirusit, bëri të ditur kryeministri çek, Andrej Babis.

Çekia është bërë vendi i fundit i Bashkimit Evropian që ka raportuar të dielën tri rastet e para me koronavirus.

Të tre njerëzit e prekur kanë jetuar ose vizituar Italinë – vendin me shpërthimin më të madh të koronavirusit në Evropë.

“Ndalimi i fluturimeve drejt dhe nga qytetet e Italisë: Millan, Venecia dhe Bolonja, do të bëhet për dy javë dhe mund të zgjatet më shumë”, tha ministri çek i Industrisë, Karel Havlicek.

Babis tha se Këshilli i Sigurisë së Shtetit, i cili u takua të hënën për të diskutuar rreth frenimit të përhapjes së koronavirusit, do të mblidhet sërish të mërkurën, për të vendosur për ndalimin e mundshëm të tubimeve të mëdha.

Koronavirusi, i identifikuar si COVID-19, e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës.

Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar.

Shifrat e fundit flasin për 90,000 njerëz të infektuar në gjithë botën dhe për 3,000 të vdekur.

Shenjat kryesore të infektimit janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje. /Gazeta Sinjali/