Nuk janë të rralla rastet kur prindërit kosovarë denoncojnë fëmijët e tyre për dhunën fizike dhe psikike që ua shkaktojnë në familje, për shkak të parave e gjësendeve me vlerë, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici ka përfunduar sot edhe një 19-vjeçar në Gjilan, pasi i njëjti u denoncua nga nëna e tij për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i gjithë sherri brenda familjes ka nisur pas kërkesës së të riut për para. E në momentin që viktima s’i ka dhënë para të birit, ky i fundit ka eskaluar në dhunë fizike ndaj nënës së tij, xhaxhait dhe gruas së xhaxhait.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari i cili është recidivist i dhunës në familje, është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.