image Caktimi i çmimit tavan për produktet bazë, Bajrami: Qeveria do t'i falimentojë mijëra dyqane të vogla

Financa

Caktimi i çmimit tavan për produktet bazë, Bajrami: Qeveria do t’i falimentojë mijëra dyqane të vogla

news image

Projektligji për vendosjen e çmimeve tavan i miratuar nga Qeveria e Kosovës po konsiderohet i dëmshëm dhe anti-Kushtetues nga ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Gazetën Sinjali se do të dëmtohen ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, duke shtuar se ekonomia e tregut të lirë nuk toleron caktim të çmimeve.

“Ky Ligj nuk është në pajtim me Kushtetutën. Me caktimin e çmimeve uniforme dhe caktimin e marzhave bëhet edhe një dëm tjetër, do të shtyhen drejt falimentimit mijëra dyqane të vogla në fshatra e nëpër lagje periferike të qyteteve”, tha ajo.

Bajrami shtoi se fitimi mes dyqaneve të mëdha dhe atyre të vogla që kryesisht gjenden në zona rurale ka dallim të madh.

“Qarkullimi i një dyqani në fshat sillet prej 50 deri në 100 euro në dite, ndërsa në këto marketet e mëdha qarkullimi shkon 100 deri në 150 mijë euro në ditë. Ky ligj abstrahon faktin se dyqanet e vogla në lagje e fshatra, furnizohën prej rrjeteve të mëdha importuese, ata e bëjnë importin, ata furnizojnë të vegjlit”, tha ajo.

“Ky Ligj e ka për qëllim me i ulë çmimet, këtë po e dimë mirëpo kur fillon vendosja e marzhës së njëjtë ose e çmimit maksimal, disa operatorë që i kanë kostot e larta nuk kanë me arritë me pasë fitim, bile në disa raste ka mundësi se dikush ka me punu edhe me humbje dhe Qeveria thotë në Nenin 5, parag. 1.6. na ju detyrojmë juve me punu pa fitim ose ju detyrojmë me punu edhe me humbje. Qysh i detyron? Nuk mundet! A e din çka i detyron Qeveria me këtë masë: me shpallë falimentimin”, u shpreh Bajrami për Sinjalin.

Ndryshe, projektligji për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore është caktuar që me procedura të përshpejtuara, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës të shqyrtohet në lexim të dytë.

/GazetaSinjali/