Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Gazeta Sinjali.
Cakaj përmes një postimi në Facebook theksoi se ata biseduan për procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, duke shtuar tutje se do të punojnë për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.
“Biseduam mbi rëndësinë e patjetërsueshme të qasjes së bashkërenduar, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shkroi ai.
Postimi i tij i plotë:
Një takim fort i vyer me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti !
Biseduam mbi rëndësinë e patjetërsueshme të qasjes së bashkërenduar, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Shprehëm shqetësimin e thellë lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ne do të vazhdojmë të punojmë pakursyer për për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.
Ndamë të njëjtën pikëpamje se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia.
#JemiNjë