image Cakaj: Serbia s'mund t’i zhbëjë krimet makabre të kryera në Kosovë

Shqipëri

Cakaj: Serbia s’mund t’i zhbëjë krimet makabre të kryera në Kosovë

news image

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka kujtuar çdo viktimë të pafajshme të praktikave gjenocidiale në botë, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, shkruan Gazeta Sinjali.

“Sot kujtojmë veçanërisht viktimat e gjenocidit të ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë”, shkroi Cakaj në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas Cakajt, fatkeqësisht Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje ende, për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur fatin e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit.

“Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë”, u shpreh Cakaj.

Ai po ashtu theksoi se përkushtimi për një të ardhme paqësore nuk nënkupton edhe harresën e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.

Sipas tij, nderimi i viktimave, kërkim-falja nga ana e Serbisë e zbardhja e plotë e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme. /Gazeta Sinjali/