Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, i ka kërkuar homologut të tij nga India, Subrahmanyam Jaishankar që ky shtet ta njohë Kosovën.
“ Vlen të theksohet se në qendër të diskutimeve ishte domosdoshmëria e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe nevoja e mbështetjes së saj në mekanizma ndërkombëtarë. Mbështetja e konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës është elementi qendror i politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon”, ka shkruar Cakaj në profilin e tij në Facebook.
Cakaj ka shtuar se duke pasur parasysh faktin se India është një prej shteteve me zhvillimin më të hovshëm në botë, bashkëpunimi dypalësh mes Indisë dhe Shqipërisë mbetet shumë i rëndësishëm”.
“Në takim, ndër të tjera, ramë dakord edhe për përmbylljen përfundimtare të një varg marrëveshjeve në fushën e sigurimeve shoqërore, promovimit dhe mbrojtjes së investimeve dhe transportit detar. Ky kuadër i marrëveshjeve do të ketë një rol domethënës në konsolidimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Indisë”.
“Po ashtu, India konfirmon mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023”, përfundon Cakaj. /Gazeta Sinjali/