image Cakaj: Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme - Sinjali

Cakaj: Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme

news image

Ministri i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj ka reaguar ndaj aktakuzave të fundit nga Gjykata Speciale.

Cakaj përmes një statusi në faqen zyrtare në “Facebook” ka thënë se jemi krejtësisht të bindur në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky është postimi i tij:

Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t’i shlyejë krimet kundër njerëzimit e gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Pikë!

Kërkesa e drejtësisë së vërtetë është e qartë:

Serbia, jo Kosova, do të duhej të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale dhe të dorëzonte kriminelët e luftës (të veshur edhe me kostumin e politikanëve të sotëm) para drejtësisë.

Krimet e supozuara të luftës në Kosovë janë hetuar nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tani, në mënyrë krejtësisht të njëanshme, edhe nga Gjykata Speciale. Kosova, ndryshe nga Serbia, deri më sot ka treguar të gjithë gatishmërinë e nevojshme për të bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare. Kosova s’ka asgjë për të fshehur: lufta e saj ka qenë e pastër dhe e drejtë.

Sjellja e krerëve të UÇK-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në këto dy ditët e fundit është jo vetëm dinjitoze në rrafsh personal dhe kombëtar, por edhe shprehje e gatishmërisë së plotë për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën. Ata sot edhe njëherë mbartin barrën e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe gjithë historisë së vonë të Kosovës.

Ne mbesim krejtësisht të bindur në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova, si gjithmonë, do të ngrihet edhe më e fortë pavarësisht sfidave./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin