Një burrë në Australi nuk mund të ecë dot më pasi mori një sasi ditore disa herë më të madhe me vitaminë B6, nga ajo që rekomandohej.
Sipas bijes së tij Alison Taylor, 86-vjeçari më parë jetonte në mënyrë të pavarur, derisa një analizë gjaku zbuloi se kishte nivel të ulët të vitaminës B6, dhe doktori i rekomandoi suplemente 50-miligramëshe të vitaminës.
Taylor tha për rrjetin ABC radio në Melbourne se i ati nisi të humbiste ndjesinë në këmbët e tij dhe u shtrua në spital kur nuk mund të ecte dot më.
Aty ai u dignostikua me toksicitet nga vitamina B6.
Vitamina B6 përdoret për të ndihmuar trupin në absorbimin e elementëve ushqyes sipas të dhënave të rrjetit mjekësor Mayo Clinic, kjo vitaminë gjendet te peshku, bananet e patatet.
Por, doza e përditshme e vitaminës B6 është 1.7 miligramë për burra mbi 50 vjeç, dhe nëse llogarisim që personi në fjalë merrte suplemente magnezi që përmbajnë edhe ato vitaminë B6, kjo bëri që doza e tij të bëhej disa dhjetëra herë më e madhe se e rekomanduara.
Rrjeti Mount Sinai shkruan se doza të larta të vitaminës B6 mund të shkaktojnë dëme neurologjike, që sjellin humbje të ndjesive te këmbët.
Rrjeti shkruan më tej se “ndalimi i dozave të larta të vitaminës sjell rekuperim të plotë brenda 6 muajve” por është ende herët për të folur për rastin e burrit të moshuar.
Toksiciteti i vitaminës B6 nxirret zakonisht jashtë trupit me anë të urinimit.
Taylor, tha për ABC se nuk është e qartë nëse babai i saj do të rekuperohet plotësisht por shpreson se terapia fizike do ta ndihmojë të ngrihet nga karrigia me rrota.
Disa muaj më parë një burrë u shtrua në spital në Britani pasi përdorte disa suplemente vitaminash të cilat ia kishte rekomanduar “nutricionisti i tij privat”.