image Burri nga Ferizaj nuk e lë rehat ish-gruan, e kërcënon atë dhe familjen e saj

Kosovë

Burri nga Ferizaj nuk e lë rehat ish-gruan, e kërcënon atë dhe familjen e saj

news image

Në Kosovë nuk janë të rralla rastet e dhunës në familje, sulmit dhe ngacmimit, ndërkaq nga organizatat e ndryshme që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të grave besohet që në luftimin e këtij fenomeni nuk është duke u kontribuar aq sa duhet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i cili në vete përmban elemente të kanosjes, dhunës në familje dhe ngacmimit ka ndodhur më datë 14 nëntor 2020 në Ferizaj, ndërsa raportimi është bërë një ditë më pas, rreth orës 20:15, ku një burrë disa herë radhazi e kishte ngacmuar ish-bashkëshorten e tij.

Burime të afërta me viktimën kanë raportuar se përveç ngacmimit dhe pengimit në vendin e punës, ajo i është nënshtruar edhe presionit të vazhdueshëm psiqik nga ish-bashkëshorti i saj.

Viktima e kishte raportuar disa herë rastin në polici, mirëpo kjo nuk i kontribuoi asaj aspak, për shkak se i njëjti vazhdoi të qëndronte në liri dhe pa ndonjë pengesë për ta shqetësuar atë edhe më tutje.

Gazeta Sinjali mëson se para dy ditësh ish-bashkëshorti i saj e kishte kanosur viktimën, duke e kërcënuar atë dhe të gjithë familjen e saj.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, i cili në mes tjerash ka thënë se pas marrjes së këtij informacioni, Policia e Kosovës e ka arrestuar të dyshuarin dhe me urdhër të Prokurorit i njëjti gjendet në mbajtje.

/Gazeta Sinjali/