Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Për një arsye jo fort të zakonshme, ka shkrepur armën edhe një burrë në Prishtinë, e të cilit më pas i dolën telashe me Policinë.
Sinjali mëson se dje pasdite në rrugën ‘Shkëlzen Haradinaj’ në kryeqytet, një person ka shtënë me armë zjarri.
Me të marrë informatën, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë takuar personin e dyshuar, i cili ka pranuar se ka shtënë me armë zjarri.
Bazuar në dëshminë e të 67-vjeçarit, ai këtë e ka bërë për të frikësuar dhe për t’i larguar qentë endacakë që kishin hyrë në pronën e tij.
Arma bashkë me municionin është konfiskuar, ndërsa dyshuari është shoqëruar në Polici, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për dy vepra penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.