image Burra që rrahin nëna e gra/ Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit në Kosovë

Siguri

Burra që rrahin nëna e gra/ Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit në Kosovë

news image

Duket se protestat, aktivitetet e fushatat vetëdijësuese nuk po arrijnë qëllimin e tyre, që është zvogëlimi i rasteve në familje, shkruan Gazeta Sinjali.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se vetëm gjatë ditës së djeshme në polici janë raportuar katër raste të ndryshme të dhunës në familje, ku viktimat janë paraqitur para organeve kompetente për ndihmë.

Njëri ndër këto raste ka ndodhur në rrugën “Faik Konica” në Gjilan, ku një person ka ushtruar dhunë ndaj nënës dhe bashkëshortes së tij dhe pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.

Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se një rast tjetër ka ndodhur në fshatin Arllat të Drenasit, ku një person është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij dhe si pasojë e lëndimeve të pësuara, ai është dashur që t’i nënshtrohet tretmanit mjekësor.

Një numër i madh i rasteve të dhunës në familje në baza ditore raportohen edhe në rajonin e Prishtinës, ku vetëm dje janë shënuar dy raste, një në Fushë-Kosovë e një në Prishtinë.

Gazetës Sinjali mëson se në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë-Kosovë, mëngjesin e djeshëm, një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga djali i tij.

Po ashtu, sipas burimeve të Gazetës Sinjali një rast tjetër ka ndodhur në Prishtinë, në rrugën “Skënder Matallari”, ku është arrestuar një person, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, këtë të fundit e ka sulmuar fizikisht.

Gazeta Sinjali mëson se si pasojë e lëndimeve të marra, ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Kujtojmë që pas vrasjes së Sebahate Sopit nga ish-bashkëshorti i saj, Lulëzim Sopi, në vend janë mbajtur shumë aktivitete përmes të cilave është kërkuar që të mos neglizhohen rastet e dhunës në familje, viktimë e të cilës ishte edhe Sebahatja, e cila pati një fund tragjik./GazetaSinjali/