Trimor Lalinovci është dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata në Ferizaj, për shkak të vrasjes dhe djegies së trupit të shokut të tij nga Ferizaj, Shkodran Bytyqit, në dhjetor të vitit 2019, njofton Gazeta Sinjali.
“Gjykata ka ardhë në përfundim se shqiptimi i dënimit me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarit është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale ndaj të akuzuarit dhe përgjegjësinë penale“.
“Gjykata është e bindur se dënimi i shqiptuar do ta arrijë qëllimin e dënimit për parandalimit e të akuzuarit për kryerjen e veprave penale. Kundër këtij aktykimi palët kanë të drejtë për ankesë“, ka deklaruar gjyqtari i këtij rasti.
Gjykata ka gjetur se i akuzuari, me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishte privuar nga jeta Shkodran Bytyqin.
“I pandehuri T.L. akuzohet se në dhjetor të vitit 2019 me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sh.B, në atë mënyrë duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqë të njëjtit ishin njohur më parë me rastin e shitblerjes së një parcele në shumë prej 157,000 €, të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri dhe mënyra e pagesës kishte qenë me rata, por meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14,000 €, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat, pastaj me tu takuar me të ndjerin nisen në drejtim të fshatit Prelez, me ç ‘rast pas një bisede i pandehuri e ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon njëherë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, ndërsa pas aktit të kryer e thërret të pandehurin – vëllain e tij, në mënyrë që ta ndihmoj dhe së bashku shkojnë tek vendi i ngjarjes, marrin trupin e të ndjerit dhe e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapole Komuna Gjilan, e hedhin në një përrockë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale, pas kësaj i pandehuri i vetëm shkon tek pompa e derivateve merr një sasi të benzinës dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hudhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkat me benzinë dhe ia vë flakën. Pas kësaj i pandehuri përdor telefonin e të ndjerit dhe dërgon sms babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke ju shkruar se i ka marr të hollat dhe është nisur për në Gjilan për ta takuar një person”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Ferizaj
Në momentin kur kryetari i trupit gjykues i ka shqiptuar dënimin, salla ka shpërthyer në duartrokitje.
Ndryshe, Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast. /Gazeta Sinjali/