image Bundestagu miraton ndryshime në lejen e qëndrimit në Gjermani për të huajt

Evropë

Bundestagu miraton ndryshime në lejen e qëndrimit në Gjermani për të huajt

news image

Bundestagu ka miratuar ndryshime në të drejtën e qëndrimit në Gjermani. Të huajt që kanë jetuar të paktën pesë vjet në Gjermani me statusin “i duruar” mund të marrin në të ardhmen një leje qëndrimi të përkohshme. Tema të tjera të trajtuara nga Bundestagu ishin paketa e lehtësimeve për spitalet dhe ndryshimet në ligjin vjetor të taksave.

Leja e qëndrimit e miratuar mund të ketë një kohëzgjatje deri në 18 muaj. Ajo do t’u mundësojë personave të interesuar të plotësojnë kushtet e nevojshme për qëndrim të ligjshëm. Ndër këto kushte janë njohja e gjermanishtes dhe garancia për të ushqyer veten. Për më tepër, paketa legjislative përfshin lehtësimin e dëbimit të kriminelëve.

Gjatë debatit paraprijës, grupi parlamentar opozitar i partive unioniste, CDU/CSU përsëriti kritikat e tij ndaj rregulloreve të reja. Politikani i CSU-së Lindholz tha se ligji ofron stimuj të gabuar për të qëndruar në Gjermani. Qeveria e koalicionit tringjyrësh (i quajtur semafor në Gjermani) e mbrojti projektin. Politikani socialdemokrat Lindh theksoi se kjo i dha fund situatës së padenjë të “lejeve zinxhir me statusin “i duruar”.

Ligji tatimor vjetor me tatim më të lartë për trashëgiminë

Parlamenti miratoi gjithashtu ndryshime në ligjin vjetor të tatimeve. Ofrohet lehtësim financiar për shembull për instalimet e paneleve diellore, për punonjësit dhe për ndërtimin e banesave. Nga ana tjetër, grupet e naftës duhet të paguajnë një kontribut për krizën energjitike për një periudhë të kufizuar. Përveç kësaj, sipas amendamentit, transmetimi i pasurive të paluajtshme me trashëgimi ose dhurim mund të taksohet më shumë, vlera e tregut të shtëpive dhe apartamenteve duhet të përafrohet. Këshilli Federal, Dhoma e Landeve ende nuk e ka shqyrtuar projektligjin. CDU/CSU paralajmëroi se po rriten taksat nga dera e pasme. Politikani i CSU-së Brehm e akuzoi FDP-në, partinë konservatore në qeverinë aktuale të Gjermanisë për mashtrim zgjedhor. Kjo parti kishte premtuar se nuk do të kishte rritje taksash.

Miratohet reforma spitalore

Bundestagu miratoi gjithashtu, me votat e koalicionit qeveritar, një paketë ligjesh që synojnë lehtësimin e barrës mbi spitalet dhe objektet e kujdesit sanitar. Dispozitat e reja synojnë, ndër të tjera, të përmirësojnë kushtet e punës së personelit të kujdesit shëndetësor, i cili shpesh është shumë i ngarkuar. Për ta bërë këtë, duhet të vendoset një instrument i ri për matjen e nevojave në personel – bazuar në shifrat ideale të stafit të llogaritur për departamentet. Ky instrument është planifikuar të futet gradualisht. Përveç kësaj, disa ekzaminime klinike tani do të jetë e mundur të bëhen si mjekim ditor, pa qenë nevoja për t’u shtruar në spital. /DW

/GazetaSinjali/