Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka reaguar pas arrestimit të dy qytetarëve të kësaj komune nga policia serbe, duke thënë se ata dy kishin dalë të ecnin brenda territorit të këtij qyteti, përgjatë brezit kufitar, shkruan Gazeta Sinjali.
Bulliqi përmes një postimi në Facebook u shpreh se arrestimi i tyre është bërë në rrethana të pasqaruara, gjersa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Postimi i plotë:
Arrestimi nga policia serbe i dy qytetarëve të komunës sonë gjatë ditës së shtunë, njëri prej tyre këshilltar në Kuvendin e Komunës së Podujevës, është një veprim i papranueshëm.
Ata janë arrestuar në rrethana të pasqaruara derisa kishin dalë të ecnin brenda territorit të komunës sonë, përgjatë brezit kufitar.
Ndonëse, nuk kemi asnjë informatë nga shteti serb, as nga institucionet tona kompetente të sigurisë, duke dënuar aktin kërkoj nga shteti serb që t’i lirojë menjëherë dy qytetarët tanë, që po mbahen të ndaluar.