image Bulliqi akuzon qeverisjen e LDK-së për mosndërtimin e palestrës sportive në Podujevë

Politikë

Bulliqi akuzon qeverisjen e LDK-së për mosndërtimin e palestrës sportive në Podujevë

news image

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka akuzuar qeverisjen e LDK-së në këtë komunë, për neglizhencë dhe moskrijim të kushteve për ndërtimin e palestrës sportive.

Sipas tij, kjo palestër sportive do të duhej të ishte e përfunduar tashmë. Madje është shprehur i habitur sesi nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Ai ka thënë se aty kishte dalë për sport, porse kishte parë se palestra jo vetëm që nuk është ndërtuar, por nuk ka nisur as ndërtimi i saj.

Bulliqi në një konferencë për media, tha se afati i kontratës për ndërtimin e kësaj palestre ka skaduar, për çka kompania kontraktuese mund të padisë komunën.

“Sot kur jemi këtu, sipas kontratës, do të duhej që pikërisht të përfundoj ndërtimi dhe të prehej shiriti i kësaj palestre sportive. Mirëpo siç po shohim, 36 muaj pas, ndërtimi i kësaj palestre as që ka nisur, ndërkohë që komuna vazhdon heshtjen e këtij skandali. Afati i kontratës ka skaduar, mirëpo ë nuk është ndërtuar. Nga kjo, mund të ju them që komuna jonë është në borxh ndaj kontraktorit që e ka fituar tenderin dhe e ka nënshkruar kontratën, dhe ai kontraktor e ka të drejtën që komunës tonë t’ia kërkoj mjetet, për faktin se komuna jonë e ka shpallë tenderin, e ka njoftuar për kontratën, e ka dhënë kontratën por nuk ka krijuar kushte që kompania që e ka fituar tenderin në vlerë prej 1 milion e 800 mijë euro, të mund të fillojë punimet”, tha ai.

Duke pasur parasysh situatën aktuale me COVID-19 që po mbretëron në Kosovë, Bulliqi tha se ka pasur periudha edhe më të përshtatshme për zgjedhje, porse shtoi se në vendet tjera janë mbajtur zgjedhje pavarësisht pandemisë.

Ai shtoi se ish-presidenti Hashim Thaçi u ka mundësuar serbëve të mbajnë zgjedhjet në Kosovë, derisa nuk e ka mundësuar një gjë të tillë për llapjanët.

“Ju e dini shumë mirë se që nga muaji maj ka pasur hapësirë optimale për me mujt me i mbajt këto zgjedhje, për faktin se ish-Presidenti i vendit i mundësoi një shteti fqinj, Serbisë që të zhvilloj zgjedhjet nacionale Brenda territorit tonë, ndërsa nuk e krijoi këtë mundësi për qytetarët llapjan. Kështu që tash e 8 muaj, qytetarëve llapjanë u mohohet e drejta për të pasur kryetarin e tyre. Unë besoj se do të respektojmë të gjitha ato masa të cilat rrjedhin nga institucionet shëndetësore dhe unë besoj se ato janë përgjegjëse për të thënë fjalën e tyre rreth mundësisë”, u shpreh ai.

/Gazeta Sinjali/