image BSK-ja do të paguajë stikersat e mjeteve motorike, buxheti s’do të ngarkohet

Kosovë

BSK-ja do të paguajë stikersat e mjeteve motorike, buxheti s’do të ngarkohet

news image

Byroja Kosovare e Sigurimit ka marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike do ta bartin siguruesit.

Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers).

Ky vendim erdhi pas takimit në zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës në mes të guvernatorit Fehmi Mehmeti, zëvendësministrit të Mjedisit Hysen Durmishi dhe përfaqësues të tjerë të BSK-së.

“Duke filluar nga data 1 mars 2022 është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit ashtu që brenda periudhës prej një viti të kemi një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht në Republikën e Kosovës. Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve”, thuhet në njoftim.

Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugorë të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej 1 viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit.

Zëvendësministri, Durmishi u zotua se në kuadër të këtij memorandumi të mirëkuptimit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nxjerrë të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të zbatuar plotësisht projektin në fjalë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore që kanë sipas ligjit, do të verifikojnë rregullsinë e dokumentacionit përkatës të mjeteve motorike në qarkullim rrugor.

Implementimi i këtij projekti për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, ka për qëllim uljen e numrit të mjeteve motorike të pasiguruara/paregjistruara në qarkullim rrugor, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel ose gjetjen e zgjidhjeve alternative për qarkullim të lirë./GazetaSinjali/