image Brukseli zyrtar: Shqipëria ka përmbushur kushtet e anëtarësimit në BE, testi mbeten zgjedhjet

Shqipëri

Brukseli zyrtar: Shqipëria ka përmbushur kushtet e anëtarësimit në BE, testi mbeten zgjedhjet

news image

Dy përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe Oliver Varhelyi , kanë mbajtur një takim me Këshillin e Stabilizim-Asociimit në Shqipëri, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas tyre, Shqipëria ka përmbushur detyrat për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka ende një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. E kemi diskutuar këtë çështje dhe kemi shprehur dëshirën tonë që kjo konferencë ndërqeveritare të ndodh sa më parë të jetë e mundur”, u shpreh Joseph Borrell.

“Sot ne kemi diskutuar ecurinë e Shqipërisë dhe gjetja jonë është që Shqipëria i ka përmbushur kushtet”, tha Varhely.

Borrell u shpreh se vendi ka një sfidë përpara që të bind edhe vendet skeptike, zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ku thirrja e Brukselit ishte e njëjtë me atë të amerikanëve.

“Ne theksojmë nevojën që listat e kandidatëve të kenë njerëz me integritet. Kjo është kyçe që të tregojë që vendi dëshiron vërtetë ta luftojë korrupsionin”, u shpreh Borrell.

Kritikat ndaj Brukselit që përsërit prej muajsh për shpërndarjen e vaksinave antiCOVID, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia tha në sy edhe zyrtarëve të lartë të BE-së.

“Ne e vlerësojmë përpjekjen e komisionarit për të qenë në anën tonë në këtë moment kaq delikat kur ne, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit u lamë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave”, u shpreh kryeministri Rama.

Këtë herë vërejtjet shqiptare duket se nuk ranë në vesh të shurdhët.

“Natyrisht nuk kemi harruar dhe nuk po harrojmë Ballkanin Perëndimor. Ne po punojmë shumë ditë e natë që të arrimë t’i marrim këto vaksina dhe t’i çojmë në këto rajone”, tha Varhely, raporton A2.

Gjatë konferencës, Edi Rama shprehu nën rreshta frikën se çështjet e pazgjidhura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të mbajnë peng edhe Shqipërinë.

“Kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe për veçimin e tyre tanimë anasjelltas, shpresoj që kjo mos të ndodhë dhe të ecim bashkë në këtë drejtim. Megjithatë u tmerrova nga sekonda i parë që kuptova që kishin nisur diskutimet me bazë identiteti midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë sepse është diskutimi më i keq i mundshëm që mund të zhvillohet në një kohë kur kërkohet konsensus nga të gjithë anëtarët e BE”, tha Rama.

Në përfundim të takimit palët dolën me një deklaratë të përbashkët ku vlerësuan arritjet në fushën e zbatimit të ligjit dhe rëndësinë dhe ngritjen e institucioneve të drejtësisë./Gazeta Sinjali/