Sot e dje bujë të madhe bëri arrestimi i tre kosovarëve nga autoritetet serbe. Për arrestimin e Abaz Beqirajt është deklaruar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa për dy të tjerë ende nuk është deklaruar askush nga institucionet e nivelit qendror në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Dje, dy kosovarë u arrestuan nga policia serbe me arsyetimin se kanë kryer veprën penale “vjedhje e pyjeve”, ndërsa sot një tjetër kosovar u arrestua në kufirin Hungari – Serbi kinse ka një dënim nga viti 2010.
Lajmin për arrestimin e dy personave në fshatin Dabinoc e ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Serbisë, duke njoftuar se të dyshuarve u janë konfiskuar një traktor me rimorkio dhe një sharrë elektrike.
“Policia ka arrestuar të dyshuarit në Dabinoc, ku në mënyrë të paligjshme kanë prerë pyllin dhe me atë rast ka konfiskuar një traktor me rimorkio të punuar me dorë, të ngarkuar me dru zjarri dhe një sharrë elektrike me motor që të dyshuarit e kanë përdorur gjatë krimit”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndaj dy kosovarëve, me inicialet Z.M dhe N.M, tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ndërsa, sot Abaz Beqiraj, duke u kthyer nga Gjermania, është arrestuar në kufirin Hungari – Serbi, me arsyetimin se e ka një dënim qysh në vitin 2010.
Arrestimin e Beqirajt e ka konfirmuar për Sinjalin, nipi i tij. Ai tha se në momentin e arrestimit, policia serbe nuk ka paraqitur vendim të gjykatës.
Arlindi tha se kanë tentuar ta thërrasin Ministrinë e Punëve të Jashtme por nuk e kanë hapë telefonin.
“Çika e tij ka tentu me kontaktu Ministrinë e Punëve të Jashtme por nuk e kanë hap telefonin”, tha ai për Sinjalin.
Mirëpo, Beqiraj është lajmëruar sot nga burgu serb, duke thënë se nuk ka bërë asgjë që të arrestohet.
“Jo unë për vete nuk di për kurrfarë aktakuze që kam ba në jetën time. Tash këta më kanë thanë kështu, por tash presin me m’qitë në gjyq apo çfarë dreqin… telefonin ma kanë lanë, senet me hangër bukë. Më kanë thanë me pritë nja 2-3 orë”, tha Abaz Beqiraj për T7 përmes telefonit.
(Mos)gatishmëria e institucioneve kosovare për t’u marrë me shtetasit e vet
Për arrestimin e dy personave nga Podujeva qysh prej dje nuk ka asnjë reagim nga institucionet e nivelit qendror. Për ta foli vetëm kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi.
Ai në një prononcim për Sinjalin tha se nuk është polic që të japë informacione.
“Unë nuk jam polic. Unë jom kryetar i komunës, ju është mirë për këto gjëra me thirrë policinë me vet”.
Ndërkaq për Beqirajn janë deklaruar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga mediat që sot, në kufirin Hungari-Serbi, autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Republikës Kosovës. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur tashmë kontaktin me autoritetet serbe në përpjekje për të sqaruar rrethanat. Do t’ju mbajmë të informuar rreth detajeve”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
“Përplasjet” me Serbinë
Serbia i mban zgjedhjet parlamentare më 6 prill, të cilat nuk u lejuan nga kryeministri Kurti të mbahen në territorin e Kosovës.
Gjithashtu të enjten, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës.
Shkaku i këtij vendimi konsiderohet të jetë pjesëmarrja e Stevanoviq në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku u diskutua për vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.
Këto dy vendime përveç që sollën protesta në Mitrovicë e Graçanicë, ato i vunë në ‘lëvizje’ edhe krerët e shtetit serb që të kërcënojnë Kosovën.
Presidenti Serb tha se Stevanoviq është arrestuar me urdhër të Albin Kurtit, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin tha se ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë.
Një kërcënim tjetër erdhi edhe nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
“Me urdhër të Albin Kurtit, sot është shkarkuar nga institucionet kosovare, gjykatësja Ljiljana Stevanoviq. Për mëngjes (e premte) është përgatitur shkarkimi i të gjithë komandantëve të policisë, të cilët ishin në takimin e Këshillit të Sigurisë Nacionale në Beograd”, ka thënë Vuçiq.
“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilat shqiptarët padyshim po i përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk thirr takim në Bruksel dhe ndalon çdo lloj dhune kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar me urrejtje”, ka thënë Vulin.
“Dhuna brutale kundër serbëve në Kosovë dhe Metohi vazhdon. Me çdo vendim, Kurti minon paqen dhe stabilitetin në baza ditore, shkel marrëveshjet ndërkombëtare dhe mohon të drejtat themelore të njeriut për anëtarët e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi. Marrëveshja e Brukselit ka vdekur”, ka thënë Bërnabiq.