image Brenda 24 orëve të fundit, 11 raste të dhunës në familje

Siguri

Brenda 24 orëve të fundit, 11 raste të dhunës në familje

news image

Gjatë muajit prill në Kosovë janë regjistruar 115 raste të dhunës në familje.

Nga këto 115 raste, në 76-të prej tyre del të jetë se gratë kanë qenë viktima nga dhuna e bashkëshortëve të tyre.

Ndryshe, në 24 orët e fundit, raportet e Policisë, njoftojnë se kanë ndodhur 11 raste të dhunës në familje.

Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Shtime, Partesh, Istog, Malishevë, Pejë.

Në Prishtinë, një vajzë ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga babai i saj. Pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Prizren, një grua ka informuar në Polici, se në vazhdimësi ka pasur presion psikik dhe fizik nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Policia njofton se nuk është raportuar për lëndime. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Gjakovë është arrestuar një grua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj. Policia thotë se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.

Në Fushë Kosovë, një grua ka njoftuar Policinë, se pas një mosmarrëveshje verbale që kishte pasur me bashkëshortin e saj, është kanosur verbalisht nga ai. Viktima është strehuar te familjarët e saj, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

Në Ferizaj, një person është arrestuar po ashtu për dhunë në familje. Ai dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka sulmuar djalin e tij. Policia thotë se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Shtime një person është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me babanë e tij rreth blerjes së një veture, e kishte kanosur verbalisht atë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Partesh është arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti nuk ka respektuar urdhrin e gjykatës dhe ka shkaktuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Policia ka shtuar se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Istog është arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht duke e goditur me grusht bashkëshorten e tij. Policia thotë se me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, kurse viktima është dërguar në strehimore.

Në Malishevë janë arrestuar dy të dyshuar (babai dhe djali), pasi të njëjtit kishin ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje, duke kërkuar nga ajo që të largohej nga shtëpia e përbashkët ku ata ishin duke jetuar.

Në Pejë është arrestuar i dyshuari, pasi që në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Policia thotë se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë dje janë arrestuar dy të dyshuar, pasi të njëjtit dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike tek një grua. Policia thotë se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

/GazetaSinjali/