Aktori i njohur, Brad Pitt, ka treguar se në rrugëtimin e tij për t’i shpëtuar vartësisë nga alkooli e ka ndihmuar miku dhe kolegu, Bradley Cooper.
Ai e ka falënderuar mikun e tij për ndihmën që i ka dhënë në momentin e pranimit të çmimit për aktorin më të mirë në rol dytësor (për filmin e “Once Upon a Time in Hollywood”) në ceremoninë e National Board of Review Annual Awards.
Në evenimentin e zhvilluar në qytetin e New Yorkut, këtë çmim ia dorëzoi pikërisht Cooper, ndërsa pasi bëri shaka, Pitt e falënderoi atë për ndihmën në të kaluarën.
“Ai ka zemër të mirë. E lash alkoolin për shkak të këtij njeriu dhe secila ditë ka qenë më e lumtur që atëherë. Të dua dhe faleminderit”, ka thënë Brad në skenë.
Në shtator të vitit të kaluar, 56-vjeçari kishte folur haptas lidhur me alkoolizimin e tij pas ndarjes nga Angelina Jolie./Gazeta Sinjali/