Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, është takuar sot me ambasadorin Jan Braathu, ku kanë diskutuar për shërbimin e tij në Kosovë në krye të OSBE-së.
Tahiri në një konferencë për media tha se Braathu do të mbetet një ndër miqtë dhe diplomatët e pakursyer për Kosovën, derisa Braathu i lumtur që bashkëpunoi me Kosovën.
“Ambasadori Braathu do të mbetet një ndër miqtë dhe ndër diplomatët që ka ndihmuar pa asnjë kursim në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë, dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar dhe shtyrjen e dialogut me komunitetet”, ka thënë Tahiri.
Ai i ka uruar për misionin e ri ambasadorin Braathu, si shef i OSBE-së në Serbi.
Ndërsa Braathu tha se ka punuar shumë për popullin e Kosovës.
“Unë kam qenë këtu për t’iu ndihmuar juve. Dhe jam shumë i lumtur që kam bashkëpunuar me institucionet e Kosovës”, tha ai.
Braathu u emërua nga kryesuesja e radhës, që është Shqipëria. Emërimi i Braathu në krye të OSBE-së në Serbi, është bërë i ditur përmes një letre që ambasadori shqiptar pranë OSBE-së, Igli Hasani, ia ka dërguar vendeve anëtare të kësaj organizate.
Në Kosovë, norvegjezi Braathu shërbeu prej 1 tetorit të vitit 2016.