Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka vendosur që të mbyllë institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” dhe institucionin financiar jobankar “Monego”, pasi që kanë operuar me kamata shumëfish më të larta se standardi.
“Devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi, i cili paraqet një element shumë të rëndësishëm në procesin e marrjes së vendimit për aprovimin e licencave për institucionet financiare”, thuhet në njoftimin e BQK-së, shkruan Gazeta Sinjali.
BQK-ja ka njoftuar se në vazhdimësi ka provuar përmes masave të parapara administrative të shtyjë këto institucione që të operojnë sipas standardeve të parapara, por që nuk kanë qenë të suksesshme.
“BQK-ja në vazhdimësi është përpjekur që përmes masave të parapara administrative të shtyjë këto institucione që t’i adresojnë këto probleme, por ato nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mosgatishmërisë së këtyre institucioneve për të ndërmarrë korrigjimet e nevojshme”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Për shkak të operimit me norma të larta të interesit kanë rrezikuar stabilitetin financiar të Kosovës
“Për këtë arsye, ne vlerësojmë se këto institucione kanë dështuar t’i sjellin tregut tonë rezultatet e pritura dhe, përkundrazi, me veprimtarinë e tyre kanë rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë kanë paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar të vendit”. /Gazeta Sinjali/