Banka Qendrore e Kosovës (BQK) po vlerëson se ekonomia e Kosovës pritet të ndjejë krizën përmes kanalit të rritjes së çmimeve si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.
Derisa profesori i ekonomisë po kërkon nga Qeveria, rishikimin e buxhetit 2022 dhe miratimin e pakos ekonomike për të subvencionuar ekonominë dhe qytetarët e vendit, ish-ministrja e Tregtisë thotë se nuk është koha që Qeveria të mbledh taksa, por duhet t’i shpërndaj ato.
Ditë më parë zyrtarë të Trustit konfirmuan se kriza në tregjet e ndërkombëtare bëri që të bie vlera e investimit në kthim rreth 90 milionë euro.
Ndërkaq, tash përveç rritjes së inflacionit, BQK-ja, si të rrezikuar po e sheh edhe Fondin e Kursimeve Pensionale-Trust, që është i investuar rreth 80 për qind në tregjet ndërkombëtare.
E qytetarët nuk kanë pse të ndihen të brengosur për depozitat e tyre në bankat komerciale në Kosovë për shkak të luftës në Ukrainë, pasi që sipas Ahmetit, bankat nuk kanë ekspozim ndaj tregjeve të Evropës Lindore dhe niveli i transaksioneve është i ulët.
“Segmentet tjera të ekonomisë së vendit nuk kanë ekspozim ndaj tregjeve të Evropës Lindore dhe niveli i transaksioneve është relativisht i ulët. Rrjedhimisht, për vitin 2022 presim kontribut të lartë të sistemit bankar vendor në zhvillim të mëtejmë të ekonomisë vendore dhe financim të aktivitetit ekonomik në përgjithësi”, shprehet ai.
Për shkak të luftës në Ukrainë, ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami pos rritjes së çmimeve, shprehë drojën për mungesë të mallrave esencaile, grurit, miellit, vajit dhe sheqerit.
“Po përballemi me një valë të re të inflacionit, e cila ka shumë gjasa që të mos jetë vetëm inflacion, por në ditët e ardhshme të përballemi edhe me mungesë të produkteve, kjo besoj që do të jetë më problematike dhe do të jetë shqetësim tejet i madh për mirëfunksionimin komplet të industrisë, por edhe të institucioneve shtetërore. Janë dy rrafshe në të cilat duhet të veprojë qeveria, e cila fatkeqësisht është duke qëndruar si spektatore, nuk e kemi parë veprime konkrete”, thotë ajo.
Pas ndalimit të mallrave nga disa vende fqinje, deputetja Bajrami po kërkon nga Qeveria furnizim me artikuj kryesor nga vendet mike të Kosovës.
Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi thotë se në këtë kohë krize me shtrenjtime të mëdha, qeveria duhet urgjent ta bëjë rishikimin e buxhetit 2022, në mënyrë që të miratohet një pakoje ekonomike për mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë në vend.
Ai shton se qeveria nuk është e përgatitur për ta përballuar krizën e shkaktuar në vendin tonë si rrjedhojë e agresionit rus në Ukrainë.
Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë po ashtu se jeta e qytetarëve është papërballueshme dhe tash nuk është koha që Qeveria të mbledhë taksa, por t’iu dal në ndihmë qytetarëve, raporton KP.
Ndërkaq, sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vazhdon rritja e inflacionit dhe indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 7.5 për qind në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin shkurt 2021.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit për bukë dhe drithëra 15.7%, mish 8.6%, qumësht, djathë dhe vezë 11.1%, vajra dhe yndyra ushqimore 32.1%, perime 13.8%, sheqeri me shtrenjtim 11.3 përqind dhe karburantet 28.2.