Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se situata në Ballkanin Perëndimor “nuk është edhe aq e mirë”.
Borrell i bëri komentet në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku situata në këtë rajon – veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, pritet të jetë temë diskutimi.
Borrell tha se në Bosnje e Hercegovinë ka tendenca që rrezikojnë unitetin e këtij vendi dhe pengojnë përparimin e tij në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, tha se raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk janë vetëm rreth zgjerimit, por kanë të bëjnë edhe me përshtatjen e politikës së tyre të jashtme me atë të BE-së.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave, por kjo është bllokuar në Këshillin Evropian, në rastin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo, pastaj, ka ndikuar që të mos nisin negociatat as me Shqipërinë.
Varhelyi paralajmëroi edhe zbatimin e shpejtë të planit për investime në Ballkanin Perëndimor.
Në prag të këtij takimi, nga shërbimet e BE-së është përgatitur edhe një dokument për situatën në Ballkanin Perëndimor, si bazë për diskutimet e sotme.
Në takim pritet të diskutohet edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas burimeve të BE-së, “nuk ka pasur përparim në muajt e fundit”.
Burimet e BE-së thonë se Brukseli pret që palët në dialog të përqendrohen te zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme, përmes hapave konkretë.
Po ashtu, kërkohet që të ketë një mbështetje të madhe nga shtetet anëtare për përpjekjet e Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, në ndërmjetësimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
“Palët duhet të inkurajohen që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të dëshmojnë rezultate pozitive, përfshirë edhe rreth marrëveshjeve rajonale që lidhen me tregun e përbashkët rajonal, dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe retorika përçarëse, sidomos kur është fjala për veriun e Kosovës”, thuhet në dokument.
Të martën, në Bruksel pritet të zhvillohet një takim i ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
Sipas burimeve të BE-së, temat e diskutimeve do të jenë të lidhura pikërisht me zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, por edhe me vazhdimin e dialogut në nivel të lartë./GazetaSinjali/