image Borrell paralajmëron vizitë në Prishtinë, flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Kosovë

Dialog/ Borrell paralajmëron vizitë në Prishtinë, flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi

news image

Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë në mesin e prioriteteve për shefin e ri të diplomacisë evropiane, Joseph Borrell.

Borrell foli të hënën në seancën e konfirmimit në Parlamentin Evropian, ku paralajmëroi se udhëtimi i parë i tij si përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian do të jetë në kryeqytetin e Kosovës – Prishtinë.

Duke thënë se dialogu është zhvilluar “shumë gjatë”, Borrell premtoi se do t’i kushtojë vëmendje të posaçme këtij procesi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai tha se të dyja palët duhet të tregojnë përkushtim. Nga Kosova, tha se pret të heqë taksën e vënë ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, ndërsa nga Serbia kërkoi “angazhim të sinqertë” në dialog.

I pyetur se sa do të jetë i besueshëm roli i tij, marrë parasysh se përfaqëson Spanjën – një shtet që nuk e ka njohur Kosovën – Borrell tha se njohja është përgjegjësi e secilit shtet anëtar të BE-së dhe se Spanja nuk është problem në këtë drejtim.

“Për aq kohë sa nuk e njohin Rusia dhe Kina, Kosova nuk mund të jetë shtet”, tha shefi i ardhshëm i diplomacisë evropiane.

Megjithatë, ai premtoi se do të angazhohet në këtë pjesë të rajonit sepse, siç theksoi, “ka dallime midis njohjes dhe angazhimit të përbashkët”.

Bashkimi Evropian, këtë javë, po ashtu pritet të emërojë një të dërguar të posaçëm për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Më 3 tetor, ndërkaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun Kosovë-Serbi.

Emërimi i Grenellit është bërë përkundër faktit që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar Mattheë Palmerin të dërguar të posaçëm për Ballkanin, në fund të gushtit.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur qëkur Kosova iu ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, autoritetet e Kosovës nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Autoritetet në Serbi, në anën tjetër, janë pozicionuar për mosvazhdimin e dialogut derisa të hiqet taksa.

Seanca dëgjimore për Borrellin u zhvillua një ditë pasi në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, rezultatet e të cilave nxorën fituese opozitën e deritashme.

Në Parlamentin Evropian do të mbahen 26 seanca dëgjimore deri javën e ardhshme, për secilin komisionar të emëruar.

Më 23 tetor, Parlamenti voton për Komisionin e ri Evropian që merr detyrën më 1 nëntor të këtij viti.