image Borrell paralajmëroi bisedime mes palëve për çështjen e targave: Bislimi shkoi, Petkoviqin e "lëshoi toka"

Politikë

Borrell paralajmëroi bisedime mes palëve për çështjen e targave: Bislimi shkoi, Petkoviqin e “lëshoi toka”

news image

21 nëntori është data kur pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e qytetarëve serbë që mbajnë targa ilegale serbe me akronimet “KM”, “GL”, “PZ”. Mirëpo, Bashkimi Evropian nuk do që të presë 21 nëntorin pa pasë një marrëveshje që i gjen zgjidhje kësaj çështje.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pas përfundimit të takimit me Këshillin për Punë të Jashtme, tha se me doemos të dyja palët duhet të angazhohen urgjentisht që të tregojnë gatishmëri që të gjejnë një zgjidhje që ul tensionet.

“Kryenegociatorët do të fillojnë të punojnë këtu në Bruksel për hapat e ardhshëm. Ata do të fillojnë punën sonte. Pala kosovare tashmë është duke ardhur sonte”, tha i bindur Borrell.

Por, ndryshe nga kjo që lajmëroi, në Bruksel shkoi vetëm kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, derisa ai i palës serbe, Petar Petkoviq, e injoroi thirrjen e kryediplomatit evropian.

Se në takim ishte i pranishëm vetëm Bislimi, e konfirmoi vetë kryenegociatori kosovar.

“Takimi në Bruksel ka qenë vetëm mes meje dhe Lajçak. Çdo raportues që ka raportuar për zhvillimet në Bruksel është dezinformuar. Cdo gjë qe është raportuar në media është dezinformatë. Petkoviqi nuk ka udhëtuar në Bruksel”, ka thënë Bislimi pas diskutimit të organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Shtëpia e Evropës me temën “Raporti i Zgjerimit: Çfarë ka në të për Kosovën?”.

Për mospjesëmarrjen e palës serbe në takimet e Brukselit pyetën edhe vetë gazetarët serbë në konferencën për media të BE-së, të martën.

“A e dini nëse përfaqësuesi serb do të vijë në Bruksel, apo është këtu, nuk e di?”, pyeti gazetarja serbe.

Por, për këtë s’pati përgjigje zëdhënësi i BE-së, Stano.

“Mendoj se e kemi pasë këtë çështje disa herë. Ne flasim në emër të Bashkimit Europian, institucioneve dhe zyrtarëve të tij. Nëse dëshironi të dini për kryenegociatorin serb, ndoshta duhet të pyesni palën serbe për këtë”, tha ai.

Edhe pse në fillim ishte paraparë që të ketë takim me të dyja palët nga ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, për çështjen e targave, nga kabineti i Bislimi tek pas qartësimit të situatës se Petkoviq s’ka shkuar në Bruksel, duke iu përgjigjur kritikave që një vendim i Kosovës po negociohet, treguan se në takimi ishte vetëm mes Bislimit dhe Petkoviqit.

“Ajo çfarë ka deklaruar z. Hoti nuk është e vërtetë. Asnjë përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk është takuar me Petkoviqin në Bruksel”, shkroi këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, duke shpërndarë një postim të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, që kritikoi qeveritarët që “shkojnë e takohen me Petkoviqin në Bruksel”.

Sidoqoftë, Bislimi tha se në takimin që pati me Lajçakun nuk ka gjetur marrëveshje për të dalë nga situata e krijuar.

/GazetaSinjali/