image Borrell flet para darkës: Ballkani, politika e jashtme më e rëndësishme e BE-së

Politikë

Borrell flet para darkës: Ballkani, politika e jashtme më e rëndësishme e BE-së

news image

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell para darkës joformale që ka organizuar me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor ka thënë se Ballkani është politika e jashtme e BE-së.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e gjeografisë sonë dhe dëshirojmë të përballemi së bashku me veprimet përçarëse të Rusisë drejtpërdrejt në rajon përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike”, tha Borrelli para darkës.

“Takimi sonte do të përforcojë më tej angazhimin e vazhdueshëm me Ballkanin Perëndimor, i cili mbetet prioriteti ynë strategjik”, shtoi ai.

Borrelli tha se sot bota është në një situatë krejtësisht të ndryshme që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u zhvillua takimi i fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Në shtator askush nuk mund të priste që ne do të jemi me një agresor, duke rikthyer luftën në Evropë dhe duke parë këtë ndikim shkatërrues të gjakderdhjes së pakuptimtë. Evropianët nuk e mbajnë mend luftën dhe tani e shohim luftën në kufijtë tanë”.

“Lufta e fundit në Evropë ishte në Ballkan, tani është në Ukrainë dhe sot do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi ndikimin global dhe rajonal të kësaj lufte të Putinit, një luftë ilegale kundër popullit ukrainas dhe kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, theksoi ai.

Ai tha se dëshiron të diskutojë me “partnerët tanë më të afërt, gjashtë liderët ballkanikë se si mund t’i trajtojmë së bashku pasojat e kësaj lufte”.

“Si gjithmonë unë jam i etur të dëgjoj për shqetësimet e këtyre liderëve, duke pasur parasysh këtë situatë dhe mënyrën se si ta trajtojmë ndikimin negativ në luftën e Putinit për ushqimin, energjinë dhe stabilitetin në kontinentin tonë të përbashkët”, u shpreh ai.

Borrelli po ashtu mirëpriti që shumica e shteteve në Ballkan vepruan në linjë të njëjtë me bllokun ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe u bëri thirrje edhe shteteve tjera të veprojnë njësoj.

“Shumica e kanë bërë, dhe po u bëj thirrje të tjerëve ta bëjnë”, theksoi Borrelli.

Nga shtetet e rajonit, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë vendosur sanksione ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.

Ndër tjerash Borrelli tha se nuk ka hapësirë për cenim të sovranitetit, por edhe të unitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Do të duhet të jem shumë i sinqertë në këtë drejtim me zotin Dodik këtë mbrëmje”, deklaroi Borrelli.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, tha se nga darka joformale pret që të ketë një bisedë për perspektivën dhe integrimin e shpejtë të rajonit të Ballkanit.

Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, u janë bashkuar qëndrimeve të BE-së rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe i kanë mbështetur edhe sanksionet ndaj këtij shteti. Përshtatja e vendeve të rajonit me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë është pothuajse 100 për qind, përveç në rastin e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në BE pohojnë se presin edhe nga Serbia që t’i mbështesë sanksionet ndaj Rusisë që i ka vendosur Bashkimi Evropian, sepse në këtë mënyrë do të dëshmohej përkushtimi i qartë i saj për të ardhmen evropiane.

Edhe pse në BE janë të kënaqur për votën e Serbisë në OKB për të përjashtuar Rusinë nga Komisioni për të drejtat e njeriut, mes vendeve anëtare të BE-së ekziston një zhgënjim i madh për kundërshtimin e Serbisë që t’i mbështesë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

Pritet që liderët të diskutojnë edhe për nevojën që BE-ja të jetë më e angazhuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit, si proces i cili ndikon edhe në dinamikën e reformave dhe në bashkëpunimin rajonal mes tyre.

Tradita e mbajtjes së një darke të tillë joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, e cila takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.

Pjesëmarrës në darkën në Bruksel janë: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Kosova përfaqësohet në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Para darkës joformale, të gjithë pjesëmarrësit do të zhvillojnë bisedime të shkurtra dypalëshe me shefin e diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell. (REL)

/GazetaSinjali/