image Borrell: Disa muaj më parë kishte një propozim për t'i shkëmbyer territoret mes Kosovës e Serbisë

Evropë

Borrell: Disa muaj më parë kishte një propozim për t’i shkëmbyer territoret mes Kosovës e Serbisë

news image

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell ka thënë se para disa muajsh ka pasur një propozim për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Gazeta Sinjali.

Borrell tha se shkëmbimi i territoreve nuk është një mundësi aktualisht dhe se këto dy vende duhet ta gjejnë një zgjidhje. Zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi, Borrell tha se nuk do ta diktojë Bashkimi Evropian.

“Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një mundësi”, tha Borrell, duke shtuar tutje se ka vende të BE-së që kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve.

Ai po ashtu u shpreh se pret që administrata Biden të ketë partneritet të fortë me BE-në në të gjitha çështjet. Arsyeja, siç tha ai, është se BE-ja dhe SHBA-ja nuk garojnë në Ballkan, veçanërisht kur bëhet fjalë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, BE-ja dëshiron të jetë ndërmjetës në këtë dialog dhe tani gjërat po shkojnë mjaft mirë.

“Unë drejtova një nga takimet mbi dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Emocionet janë të forta dhe mendoj se është e kuptueshme, sepse dialogu është kërkues dhe i vështirë, i ngarkuar nga historia”, tha Borrell në një intervistë për mediat serbe “Nezavisne” dhe “Politika.ba”.

Ndërkaq, Borrell theksoi se e ardhmja e Ballkanit qëndron në BE, pavarësisht nga përpjekjet e Kinës dhe Rusisë, si dhe të Shteteve të Bashkuara, për ta ushtruar ndikimin e tyre dhe për të qenë aktorë të rëndësishëm.

“Në thelb, askush prej tyre nuk mund të ofrojë asgjë aq të rëndësishme sa perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në BE. Vetëm BE-ja mund ta bëjë një ofertë të tillë dhe një perspektivë të strukturuar për të ardhmen. I gjithë Ballkani ka një drejtim dhe hartë shumë të qartë për të ardhmen”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali/