image Borrell: BE nuk e njeh Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë

Botë

Borrell: BE nuk e njeh Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë

news image

Shefi për diplomaci i bllokut evropian, Josep Borrell, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk e njeh Alyaksandr Lukashenko si president legjitim të Bjellorusisë.

Sipas tij, Parlamenti Evropian i cilëson joligjore zgjedhjet e 9 gushtit, të cilat ia zgjatën pushtetin këtij politikani.

Opozita ruse, e udhëhequr nga Svyatlana Tsikhanouskaya, akuzon Lukashenkon për mashtrime me vota në procesin zgjedhor, që i ka siguruar atij një mandat të gjashtë presidencial.

Qëkur u publikua rezultati përfundimtar zgjedhor, mijëra persona janë ndaluar dhe goditur nga zyrtarët policorë, derisa gati të gjitha liderët opozitarë janë larguar me forcë nga shteti ose janë arrestuar nga autoritetet.

Shtypja e protestave është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Situata është e qartë për ne. Ne i konsiderojmë zgjedhjet e 9 gushtit si joligjore. Ne nuk e njohim Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë”, u ka thënë Borrell ligjvënësve.

Ai ka thënë se deri më tani janë ndaluar rreth 7,500 protestues paqësorë, si dhe janë raportuar rreth 500 raste të torturës.

Blloku evropian me 27 anëtarë është duke përgatitur sanksione kundër personave përgjegjës për mashtrime zgjedhore dhe shtypje të protestave.

Mirëpo, këto sanksione të BE-së, sipas diplomatëve, janë duke u bllokuar nga Qiproja, e cila është duke kërkuar fillimisht marrjen e masave kundër Turqisë, pas mosmarrëveshjeve të krijuara për kërkimet e gazit natyror në lindje të Mesdheut.

Borrell u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të çojnë përpara sanksionet – për të cilat nevojiten vota unanime – para samitit të BE-së, që mbahet javën tjetër në Bruksel./Gazeta Sinjali/