Dëshmitari i katërt i mbrojtjes, Hazir Borovci, e ka përfunduar dëshminë e nisur të mërkurën në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë.
Në fund ai i tha gjykatës që të mos bien pre e dëshmitarëve të manipuluar dhe shantazhuar. Kështu ai tha se nuk kërkon mëshirë por drejtësi nga gjykata.
“Kërkoj nga ju jo mëshirë, por kërkoj drejtësi dhe jam shumë i bindur se do të vendosni drejt, do t’i analizoni mirë të gjithë dëshmitarët, të mos bini pre e dëshmitarëve të manipuluar, shantazhuar, por t’i analizoni mirë rrethanat në të cilat kemi vepru, kemi punu që kanë qenë tejet të vështira dhe uroj të mos i ndodh asnjë populli, asnjë kombi ajo që na ka ndodh neve. Ju falënderoj juve dhe ju përshëndes të gjithë që jeni këtu dhe e përshëndes edhe Salih Mustafën që e konsideroj të pafajshëm”, tha ai në fund.
I njëjti ka mohuar se dikush i ka thënë që të dëshmojë diçka në dobi të Mustafës.
“Në këtë dëshmi që keni dhënë, a keni thënë të vërtetën”, pyeti avokati.
“Të vërtetën e kam thënë para jush, edhe dje dhe sot. Si atëherë, sikur sot”, ka thënë Borovci.
Tutje, dëshmitari Borovci, ka thënë se deri me 12 qershor ka qenë në Butovc, ditën kur kanë hyrë forcat paqeruajtëse në Prishtinë dhe anë e mbanë Kosovës.
I pyetur se a ka pasur informacion për deklaratat që Mustafa ka dhënë për ZPS-në, lidhur me atë çka është thënë në deklarata.
“Nuk jam marr shumë me deklarata, ajo ishte risi e djeshmja për herë të parë që e pash këtu e lexova, me përjashtim përmes mediave që jemi informu, përmes mediave, portaleve”, ka thënë ai.
Ndryshe, Borovci, ditën e mërkurë kishte deklaruar se dy javëshin e parë të muajit prill të vitit 1999, Mustafa ka qenë në Butovc, ku e kishte parë tre apo katër herë. Ndërkaq, prokuroria i kishte thënë se Mustafa ka deklaruar se atë kohë ka qenë në Zllash. Mirëpo, dëshmitari sërish sërish kishte thënë se mendon se ka qenë në Butovc, kurse tha se a ka qenë apo jo në Zllash nuk e di pasi nuk ka qëndruar me të ditë e natë.