Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka dhënë detaje nga biseda telefonike që ka pasur dje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Borrell, në një postim në Twitter ka thënë se pati një bisedë të mirë me Kurtin, derisa theksoi se stabiliteti dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor është edhe më e rëndësishme në kontekstin aktual.
“Diskutim i mirë me kryeministrin Albin Kurti për hapat e ardhshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Sigurimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor është edhe më i rëndësishëm në kontekstin aktual gjeopolitik. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, ka shkruar ai.
Për këtë bisedë mes kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell, ka njoftuar mbrëmë edhe Zyra e Kryeministrit.
Sipas komunikatës së ZKM’së, Kurti dhe Borrell folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes, që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër dhe për çështje aktuale.
Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.