image Borrell paralajmëron se takimi Kurti-Vuçiq mund të mbahet para verës - Sinjali

Borrell paralajmëron se takimi Kurti-Vuçiq mund të mbahet para verës

news image

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja vazhdon ta mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këto komente i bëri pas një darke joformale mes tij dhe ministrave të punëve të jashtme të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kishte po ashtu shumë thirrje për liberalizim të vizave për Kosovën. Komisioni, unë jam po ashtu nënkryetar i komisionit, ia ka prezantuar disa herë këshillit një propozim, një opinion, duke argumentuar që Kosova i përmbush të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Ka liberalizim të vizave për Ukrainën prej shumë kohësh. Ne vazhdojmë ta mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Borell në konferencë për media.

Borrelli tha se ndonëse veç e veç pala kosovare dhe ajo serbe pajtohen, kur ulen bashkë në tavolinë, vështirë se ndodh ndonjë progres.

Borrelli paralajmëroi një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit serb, Alexandar Vuçiq, para fillimit të verës.

“Të angazhohemi në veprimet që krijojnë besim, duke i shmangur hapat e njëanshëm, dhe shpresoj që para verës ta mbajmë një takim tjetër në nivelin më të lartë politik midis kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, mirëpo ende po punohet për këtë”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin