image Bordi i Telekomit të Kosovës shkel rregulloren e Ministrisë, shpenzon afër 8 mijë euro për dy ditë në Paris

Kosovë

Financa/ Bordi i Telekomit të Kosovës shkel rregulloren e Ministrisë, shpenzon afër 8 mijë euro për dy ditë në Paris

news image

Kryetarja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatari, e cila është bashkëshortja e deputetit Bekë Berisha, së bashku me anëtarin e bordit të kësaj ndërmarrjeje, Sead Ujkanin, kanë udhëtuar drejt Parisit me shpenzime të ndërmarrjes, ani pse rregullorja ua ndalon një gjë të tillë. Së bashku me Shatrin e Ujkanin, kanë qenë edhe udhëheqësit e Telekomit të Kosovës, që të gjithë nga ky udhëtim për dy ditë kanë shpenzuar afër 7 mijë e 500 euro.

Besa Shatri si kryetare e Bordit të Telekomit të Kosovës, në kundërshtim me rregulloren e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, ka udhëtuar për në Francë. Ajo së bashku me anëtarin e bordit, Sead Ujkanin, nën financimin e Telekomit të Kosovës kanë udhëtuar në Paris, raporton Gazeta Sinjali.

Përveç tyre në këtë udhëtim kanë qenë edhe Bedri Istrefi, drejtor ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Sabahedin Ramaxhiku, drejtor i korporatës, Shkelzen Ibrahimi dhe Visar Ramaj si ekspert i jashtëm. Në këtë udhëtim zyrtar kishte planifikuar të ishte edhe anëtari tjetër i Bordit,  Shkelzen Ibrahimi, por që për shkaqe shëndetësore nuk kishte udhëtuar.

Në fakt bashkëshortja e deputetit të AAK-së dhe anëtari  i bordit që ushtron detyrën e profesorit në Universitetin e Prishtinës, pa leje paraprake kanë udhëtuar me para të Telekomit, përkundër se një gjë e tillë është në kundërshtim me rregulloren e MZHE-së.

Ministria përveç se nuk ishte pyetur fare nga Shatri e Ujkani, ajo nuk ka qenë fare në dijeni për këtë udhëtim, derisa është informuar nga pyetjet e Gazetës Sinjali.

Kryetarja e Bordit dhe anëtari i Bordit nën shoqërimin edhe të Istrefit, Ramaxhikut dhe Ramajt, kanë qenë në udhëtim zyrtar në Paris që nga 29 janari deri më 31 janar.

Udhëtimi zyrtar prej pesë personave, buxhetit të Telekomit të Kosovës i ka kushtuar afër 7 mijë e 500 euro për vetëm dy ditë. Gazeta Sinjali ka siguruar faturat e shpenzimit të kryetares e anëtarit të bordit së bashku me krerët e tjerë të Telekomit të Kosovës.

Aty shihet se vetëm për biletën e Shatrit, Ibrahimit dhe Ramajt, janë shpenzuar mbi 1 mijë e 600 euro, ndërsa për rezervim të hotelit janë shpenzuar mbi 1 mijë e 900 euro të tjera.

Kryetarja dhe anëtari i Bordit të Telekomit të Kosovës, përveçse do të duhej ta pyesnin MZHE-në për një udhëtim të tillë zyrtar para se të niseshin, kjo ministri nuk ka qenë fare në dijeni as pasi janë kthyer.

Gazeta Sinjali ka qenë e para që e ka informuar këtë ministri lidhur me udhëtimin e gruas së deputetit të AAK-së dhe profesorit të UP-së, së bashku me pjesën tjetër udhëheqëse të Telekomit të Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim nga kjo ministri kanë konfirmuar fillimisht se për një udhëtim të tillë është dashur të pyetet MZHE-ja.

“Në Procedurat për mbikëqyrjen dhe monitorimin e NP-ve, qartësisht është e rregulluar që “Çdo anëtar i Bordit dhe Zyrtari i lartë i NP duhet të informojë NJPMNP-MZHE, për mungesën e tij (pushim vjetor, pushim mjekësor, udhëtim zyrtar etj.) dhe për personin, i cili do ta zëvendësojë për këtë kohë të mungesës së tij”. Ne kemi reaguar për udhëtimin, për të cilin aksionari nuk ka qenë i informuara paraprakisht”, thuhet në përgjigje për Gazetën Sinjali.

E në anën tjetër në rregulloren e MZHE-së sqarohet qartë se për shkak të racionalizimit të shpenzimeve të ndërmarrjeve publike, nuk lejohen që anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve të shpenzojnë për udhëtime zyrtare pa i arsyetuar ato.

“Në veçanti shpenzimi i mjeteve buxhetore për udhëtime zyrtare, blerje të pajisjeve të ndryshme, teknologjike, shpenzime në takime zyrtare si dhe përdorimi i veturave i paarsyetuar nuk lejohet”, thuhet në rregullore.

MZHE në tutje ka thënë se kanë kërkuar sqarime nga kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës lidhur me udhëtimin e kushtueshëm të Shatrit.

Shatri në sqarimin që ia ka bërë MZHE-së, thotë se ky udhëtim zyrtar ka pasur të bëjë me procesin e arbitrazhin mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile.

“Lidhur me këtë rast kemi kërkuar që në kohë duhet informuar aksionarin për të gjitha veprimet që do të ndërmerren konform kompetencave që ju ka besuar aksionari Bordeve Drejtuese dhe jemi në pritje të sqarimit nga ana e kryesueses së BD-së të kësaj kompanie”.

“Deri tani kemi marrë sqarimin e arsyes së vizitës në fjalë, që sipas kryesueses së Bordit  ka të bëjë me procesin e arbitrazhit në mes të Dardafon.net. LC v dhe – Telekomit të Kosovës Sh.A., dhe është bërë me kërkesë të kompanisë Ligjore “Hogan & Lovells” LLC, e cila e përfaqëson Telekomin e Kosovës Sh.A. Përpos dy anëtarëve të Bordit, pjesëmarrës në takim ka qenë edhe menaxhmenti i lartë i Telekomit, që kanë pasur pozitë vendim-marrëse në proces”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së për Gazetën Sinjali.

Përkundër shpenzimeve financiare të drejtuesve të Telekomit të Kosovës dhe anëtarëve të Bordit të kësaj ndërmarrje, Telekomi i Kosovës vazhdon të përballet me gjendje të rënduar financiare. Ndërkohë, që ditë më parë në mbledhjen e fundit të Qeverisë Haradinaj u refuzua kërkesa e Telekomit që kërkonte nga qeveria 5 milionë euro shtesë.

Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për shpenzimet e Telekomit të Kosovës që nga ato të muajit dhjetor të vitit të kaluar e deri tek drekat zyrtare që kushtuan qindra euro. Gjatë ditës së djeshme Gazeta Sinjali ka raportuar se nipi i Thaçit, Driloni është avancuar në këtë ndërmarrje./Gazeta Sinjali/