image Blinken propozon përjashtimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut
[wp-story id="814678"]

Botë

Blinken propozon përjashtimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

news image

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e Rusisë dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar derisa forcat e Putinit po e vazhdojnë sulmin mbi Ukrainën, ai e ka hedhur idenë e përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjatë një fjalimi para këshillit.

“Me arsye mund të shtrohet pyetja nëse një shtet anëtar i OKB-së që përpiqet ta marrë nën kontroll një shtet tjetër anëtar të OKB-së – ndërkohë që kryen shkelje të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe duke shkaktuar vuajtje masive humanitare – duhet të lejohet të qëndrojë në këtë këshill”, tha Blinken.

Në këshill janë 47 shtete anëtare, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku një prej tyre është Rusia.

Blinken kritikoi gjithashtu vende si Kina, të cilat nuk e kanë deklaruar qartë se Rusia është autori i vetëm i kësaj krize.

“Anëtarët e këshillit duhet ta ndalojnë përdorimin e gjuhës që nënkupton se të gjitha palët mbajnë përgjegjësi të barabartë për sulmin e paprovokuar të njërës palë. Kjo nuk është e paanshme – është e gabuar – dhe nuk arrin të vendosë përgjegjësinë aty ku i takon. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët që argumentojnë, në mënyrë të rreme, se denoncimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut po e ‘politizon’ situatën. Ajo po dështon të flasë për shkeljet e të drejtave të njeriut”, tha Blinken, raporton CNN.

Blinken sfidoi UNHRC-në që të bashkohej për ta parandaluar një luftë edhe më vdekjeprurëse.

“Këto janë shkeljet e të drejtave të njeriut që ky këshill është krijuar për t’i ndaluar. Nëse nuk mund të bashkohemi tani, kur do të bashkohemi?”, tha Blinken.

Blinken i tha Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara se sulmet ruse “po godasin shkollat, spitalet dhe ndërtesat e banimit”.

“Ata po shkatërrojnë infrastrukturën kritike, e cila u siguron miliona njerëzve në mbarë Ukrainën ujë të pijshëm, gaz për t’i mbajtur ata nga ngrirja deri në vdekje dhe energji elektrike. Autobusë civilë, makina, madje edhe autoambulanca janë granatuar. Rusia po e bën këtë çdo ditë – në të gjithë Ukrainën”, shtoi Blinken.

Deklaratat e kryediplomatit amerikan vijnë pasi presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për krime lufte gjatë bombardimit të qytetit të Kharkivit.

Gjatë dy ditëve të fundit, sulmet ruse kanë goditur civilë, duke shtyrë një zhvendosje drejt një fushate bombardimi shumë më pak të përmbajtur. Sulmet e mëparshme ruse ishin më të përqendruara në objektiva ushtarakë.

/GazetaSinjali/