Në mediat sociale blihen lehtë pëlqimet. Ky manipulim bart rreziqe të mëdha thonë ekspertët.
Disa klikime, 80 euro, kaq mjaftoi dhe Tanja Kühne kishte 500 „likes” më shumë në faqen e saj të Facebook-ut. Drejtoresha e një agjencie dizajni dhe kryetare e qarkut të partisë liberale FDP në Lüneburger Heide pagoi vitin e kaluar ofruesin „Paidlikes” për t’u bërë më e njohur në internet. Për këtë punojnë „clickworker”, që me porosi të firmës janë të zellshëm në shtimin e klikimeve „like” – më pëlqen.
„Atëherë kam menduar, pse jam përpjekur në këtë formë që të rris ndikimin tim”, thotë Kühne për DW. „Unë jam politikane lokale, por në zgjedhjet e parlamentit të landit dal në garë me politikanët që punojnë si të tillë me kohë të plotë.” Ata kanë një zyrë që kujdeset profesionalisht për median sociale, që postojnë përditë aktivitet e reja në Facebook dhe pamjet e fundit në instagram. „Ky është një presion i madh, që në këtë formë vetëm shtohet”, thotë Kühne.
Që Tanja Kühne dhe mijëra të tjerë, muzikantë, trajnerë fitnesi, shitës automjetesh i kanë blerë klikimet e tyre, këtë e ka zbuluar, rrjeti investigativ gjerman i tre mediave të njohura, SZ, NDR, WDR.
Më parë ishte Universiteti i Bochum-Ruhrit që i kishte bërë publike të dhënat e furnizuesit me likes, „Paidlikes”. Sipas të dhënave të rrjetit investigativ aty gjenden politikanë të të gjitha partive të mëdha: 17 janë politikanë të CDU/CSU-së dhe FDP. 14 të SPD-së, 11 të AfD-së dhe tre Të Gjelbër dhe Të Majtë. Nuk dihet, nëse personat, faqet e të cilëve janë klikuar, janë edhe ata që e kanë dhënë porosinë. Tek Tanja Kühne kjo qëndron, por mes tyre gjenden edhe emra në listë që e mohojnë porosinë për blerjen e likes. E kjo nuk mund të jetë patjetër e gabuar. Ka gjasa që pas tyre mund të fshihen simpatizantë apo konkurrentë që me „like” false të dëmtojnë imazhin e rivalëve. Klikimet mund të jenë edhe manovër për të devijuar vëmendjen, me qëllim që të mos bien në sy manipulime të tjera.
Pas kësaj fshihet një industri e tërë manipulimi, thotë suedezi, Sebastian Bay. Ai është ekspert digjital në Qendrën Strategjike të Komunikimit, Stratcom në kryeqytetin letonez, Riga. Stratcom konsulton NATO-n, edhe pse nuk bën pjesë në strukturën e komandos së aleancës. „Kemi gjetur firma në të gjithë botën”, thotë Bay, „që nga Europa deri në Rusi, Filipine apo Afrikën Perëndimore, që fitojnë para me manipulimin e mediave sociale.”
Bay dhe kolegët e tij i shqetëson fakti, që manipulimi i mediave sociale është kaq i lirë në kosto dhe kaq i lehtë. Për 300 euro ata bënë një eksperiment – blenë si provë mijëra komente dhe ndjekës, si edhe dhjetëra mijëra likes apo shikime të videove. „Menduam në fillim, se duhet të porosim dikë në darknet apo në këndet e errëta të kushedi se cilëve hakera, por është kaq e lehtë, këta ofrues mund t’i gjesh në google apo bing.”
Pazari me likes ka pasoja, thotë eksperti. „Përfytyroni një kiosk me dënerin turk, që blen vlerësime pozitive apo vlerësime negative për konkurrentin e tij. Ky është thjesht mashtrim.” Mashtrim edhe kundër gjigandëve të teknologjisë, Google dhe Facebook, që nuk bëjnë sa duhet kundër fenomenit, thotë Bay. Në eksperimentin e tyre, katër javë më pas, katër nga pesë klikime të manipuluara nuk ishin shuar ende. „Teknikisht nuk është gjithmonë e thjeshtë. Por firmat nuk investojnë sa duhet për të vepruar kundër fenomenit.” Një shenjë për mashtrim mund të jetë për shembull që nga llogari të caktuara apo rrjete papritur shpërndahet një numër i madh „likes”.
Falsifikimi rrezikon edhe demokracinë
Sipas Bay, ky lloj mashtrimi nuk është i rrezikshëm vetëm për bizneset. „Nëse algoritmit i bëhet e kuptueshme, se shumë vetë e shohin një përmbajtje të caktuar, atëherë ai e vë si trend këtë përmbajtje dhe ajo i rekomandohet shumë njerëzve”. Qeveritë mund ta përdorin këtë për të manipuluar online debatet demokratike. „Ata kështu mund të nxjerrin jashtë loje zërat legjitimë dhe forcojnë ato jolegjitimë. Ata mund të krijojnë përshtypjen me profile të fallsifikuara, se janë pjesë e një debati lokal. Kështu bëhet e vështirë për të zbuluar, çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gabuar.”
Nëse debatet manipulohen kështu, kjo është shumë e rrezikshme, mendon Tanja Küjne. Ajo vetë në të ardhmen nuk do të merret më me ofrues si „Paidlikes”. „Nuk do ta bëj më këtë, sepse mendoj, se edhe nuk sjell gjë.” Në të ardhmen ajo dëshiron të përdorë më shumë kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit dhe takimet. „Na bën mirë të gjithëve të kthehemi tek kjo formë komunikimi”, thotë ajo.