Shefqet Kastrati, kompania e të cilit mbledh taksën prej 5 eurove që paguajnë shqiptarët nga Kosova të cilët udhëtojnë drejt Shqipërisë, ka dhuruar sot 1.5 milion euro në ndihmë të atyre që janë prekur nga tërmeti në Durrës e Thumanë.
Kastrati ka thënë se këtë vendim e kanë marrë bashkë me familjen.
“Unë dhe familja ime kemi ndarë 1.5 milionë euro që kjo dhimbje e madhe që të lehtësohet sado pak. Vendosëm ta bëjmë publik kontributin tonë për familjet e tërmetit vetëm që t’i bëjmë thirrje atyre që kanë më shumë se të tjerët: Kjo s’është dita të kurseje asgjë shqiptari që ka shumë për shqiptarin që ka humbur gjithçka!”, është shprehur Shefqet Kastrati, raportojnë mediat malazeze.
Ai ka thënë se është i prekur thellë nga një tragjedi e tillë, ndërkohë ka thënë se kishte marrë vendimin për të mos taksuar ata që udhëtojnë drejt Shqipërisë për të dërguar ndihma.
“Tragjedia Shqiptare më ka tronditur thellësisht mua dhe familjen time, bashke me vëllezërit e mi. Jemi munduar të ndihmojmë e të lehtësojmë sa mundemi këto ditë. Si gjithnjë – pa zhurmë. E kam dhënë në çast urdhrin e mosmarrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë. Pa bërë asnjë publicitet, sepse gjithmonë kam ecur me parimin: “Kur ndihmon një rob të Zotit në nevojë, duhet ta shohë veç ai lart!”, ka thënë ai.
Në fund Kastrati ka shprehur ngushëllime për familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre në një katastrofë të tillë natyrore./Gazeta Sinjali/