image Bizneset kërkojnë t’u falen gjobat e pandemisë

Biznes

Bizneset kërkojnë t’u falen gjobat e pandemisë

news image

Gjobat e shqiptuara pas shtrëngimit të masave nga Qeveria janë parë me shumë shqetësim nga sektori i gastronomisë dhe ai hotelerisë.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit Hysen Sogojeva thotë se as qytetarët, por as bizneset nuk e meritojnë të gjobiten për shkeljen e masave të marra gjatë pandemisë.

Sipas tij, gjobat duhet patjetër që të falen për të gjithë.

“Ne edhe më parë jemi deklaruar se vendimi që është ende në fuqi ka qenë pak i ngutshëm, do të thotë nuk është analizuar mirë prandaj nuk meriton populli dhe biznesi këtë gjobë, sepse shumica e evropianëve sot nuk mbajnë maska në hapësira, dhe ne jemi të vetmit. Tash me u shqiptua këto masa mendoj që janë të ngutshme”, tha ai.

“Nëse i ka kaluar kompetencat edhe biznesi na kemi thanë që ata nëse i kanë kaluar, atëherë ne jemi në rregull dhe nuk reagojmë. Por, ne po reagojmë nëse ju ka shqiptuar gjoba prej 2 mijë eurove pa kurrfarë arsye të plotë”, shtoi Sogojeva.

Kur foli për masat e reja Sogojeva tha se qytetarët duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim ose test negativ kur të futen në lokale, në mënyrë që edhe pronarët të mos ndihen në siklet.

“Unë bëj apel tek qytetarët që  të vetëdijesohen, sepse nuk është mirë që të hynë në një lokal ku nuk janë të vaksinuar, ose nuk e kanë  identifikimin që janë negativ. Nuk është mirë që të vendosen në pozita të palakmueshme pronarët e kafiterive dhe lokaleve, dhe ti respektojnë rregullat, por edhe menaxherët ti kërkojnë ato dëshmi”.

Kastriot Januzaj, i cili udhëheq një kafene në kryeqytet, tha se gjatë tërë shtatorit kanë punuar me humbje të mëdha dhe si pasojë e kapaciteteve të përgjysmuara.

Tutje, ai thotë se biznesi i tij është gjobitur me shumë prej 500 eurove, por që ka të tjerë që janë që janë dënuar deri në 2 mijë euro.

Ai kategorikisht ka kërkuar që t’u falen këto gjoba sepse nuk po arrijnë që t’i përballojnë shpenzimet.

“Gjatë shtatorit, gati tërë muajin kemi punuar me hapësirë të përgjysmuar, ku brenda kemi pasur të ndaluar me punua dhe vetëm me hapësira të jashtme. Punë nuk ka pas se nata ka qenë e ftoftë dhe tavolina shumë pak të lejuara, do të thotë nuk ka qenë mirë”.

“Ne kemi marrë gjobë prej 500 eurove, ka edhe lokale tjera që kanë marrë gjoba deri në 2 mijë euro. Gjobat do ishte mirë me na falë, sepse problem është më i pagua pasi kemi obligime tjera, por edhe tash me gjobat që na u kanë shtuar është tejet problem dhe nuk mundemi me i përballu”, tha ai.

“Do jetë pak e mundimshme sepse duhet me u ndal tek dera e secilit klient më ja kërkua dëshminë e vaksinës, do jetë vështirë”, përfundoi ai.

Ndërsa, masat e reja detyrojnë institucionet shtetërore dhe institucionet private të paraqesin certifikatën e vaksinimit para hyrjes ku operojnë, përfshirë: qendrat tregtare, call center, gastronominë në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punë me palë, raporton EO.

Shkollat dhe çerdhet do të hapen nga dita e hënë, 27 shtator, maksimumi i nxënësve do të jetë 20.

Aktivitetet sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 për qind të kapaciteteve në ambientet e brendshme, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Kurse, në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve. /GazetaSinjali/