Zëvendëskryeministri Bislimi ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen. Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrisë Bislimi me Nissinen kanë folur edhe për ngjarjet në Veri.
“Më tej, u diskutuan dhe zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi Ambasadorin mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit ku u vra në krye të detyrës Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Tashmë ekzistojnë prova e fakte të mjaftueshme që ky sulm është orkestruar e organizuar nga Beogradi zyrtar”, ka thënë Bislimi.
Tutje Bislimi ka thënë se sulmi i 24 shtatorit ka qenë një skenar i përgatitur nga Serbia.
“Nga prezenca e organizimi i sulmit terrorist nga Milan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre. Pamjet e publikuara ditën e djeshme dhe armatimi i konfiskuar tregojnë për planifikimin e skenarin e përgatitur nga Serbia. Ky ka qenë një skenar i përgatitur nga Beogradi zyrtar për destabilizimin e Republikës së Kosovës” ka shtuar ai.
Bislimi dhe Nissinen kanë diskuar edhe për cështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian.. “Rrugëtimi ynë pozitiv i dy viteve të fundit është dëshmuar edhe nga raportet e ndryshme, veçanërisht Raporti për vendin i Komisionit Evropian i vitit të kaluar i cili evidentoi të arriturat e Kosovës. U theksua se procesi i zgjerimit duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe përmbushjen e kritereve” ka thënë Bislimi.