Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se raporti i Komisionit Europian, për vitin 2022, është ndër më të mirët ndonjëherë për Kosovën, por dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Bislimi në një postim në Facebook, thotë se ky raport, fillon me specifikat e stabilitetit politik, me ç’rast, dhe përmend që në një vit, Qeveria Kurti, u ka dhënë zgjidhje problemeve që kanë ekzistuar për vite me radhë dhe që kanë qenë kërkesa të vetë BE.
“Raporti fillon me theksimin e stabilitetit politik. Tregon se Qeveria është gjetur e përgatitur për të përballuar më së miri situatat të cilat kanë ardhur si ndikim nga jashtë. Raporti tregon edhe se Qeveria ka patur qasje të mirë dhe ka treguar maturitet fiskal në këto periudha, për t’i rezistuar masave populiste, ku raporti i Komisionit Evropian evidenton si shembull rastin e tërheqjes së trustit”, deklaron zëvendëskryeministri.
Sipas tij, është dyfish më i rëndësishëm krahasimi i planit operativ, kur vendi përballet me sfida si pandemia, kriza energjetika dhe inflacioni.
“Për herë të parë, raporti për vendin është konservativ për ndërhyrjet politike, pra nuk ka vlerësim ku thuhet që ka ndërhyrje apo vullnet për ndërhyrje politike në institucionet publike”, tha Bislimi.
Më tutje, ai shtoi se Qeveria i ka dhënë zgjidhje problemeve që kanë ekzistuar për vite me radhë dhe që kanë qenë kërkesa të vetë BE. Terminali doganor, ligji për financimin e partive politike, racionalizimi i agjencive janë vetëm disa prej shembujve të shumta.
“Përveç hartimit të strategjive, është vlerësuar puna në kriteret ekonomike si rimëkëmbja, formalizmi i vendeve të punës si dhe ulja e defiçitit. Tek sundimi i ligjit, në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë fusha kyçe ku vlerësohemi për maturitetin evropian”, ka thënë Bislimi.