Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi sot pasdite do të zhvillojë një takim virtual me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Bislimi, gjatë raportimit para Komisionit për Integrim Evropian.
“Takime të radhës në Bruksel gjithsesi se do të ketë. Unë sot pasdite do të kem një takim online me z. Lajçak, ku do të definojmë hapat e radhës”, tha ai.
Bislimi gjithashtu tha se shumë shpejt duhet të ftohet takimi i krerëve të shtetit në mënyrë që deri në muajin mars të përfundojnë negociatat për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Mendoj se shumë shpejt duhet të ftohet takimi i krerëve të shtetit, është zotim i Brukselit, që deri mars të vitit 2023 të përfundohen negociatat për normalizim. Kjo thuhet sipas dakordimit të arritur. Nuk është dakordim, por është deklaratë e lëshuar nga z. Borrell, mbi atë që kanë biseduar palët në Bruksel. Sipas asaj, duhet prodhuar marrëveshje normalizimi deri mars të vitit 2023”, u shpreh ai.