image Bislimi: Qeveria e ka me seriozitet procesin e integrimit evropian

Politikë

Bislimi: Qeveria e ka me seriozitet procesin e integrimit evropian

news image

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar para Komisionit për Integrim Evropian se takimi i ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 16 nëntor.

Sipas tij, Qeveria e ka marrë me seriozitet procesin e integrimit evropian, duke shtuar se kanë quar përpara numër të madh të proceseve që kanë ngecur me vjet.

Ne kemi analizuar me kujdes raportin që ka 43 faqe dhe kemi analizuar të gjitha të gjeturat. Një problematikë që kemi vërejtur ka të bëjë që metodologjia i përgjigjet vetëm rrethanave në terren. Raporti flet për mungesë të shumicës parlamentare dhe i referohet periudhës para marsit. Qeveria Kurti 2 procesin e integrimit e ka marrë me prioritet të madh. Menjëherë kemi aktivizuar mekanizmat tanë”, deklaroi ai.

Bislimi para anëtarëve të Komisionit ka thënë se në gjashtëmujorin e qeverisjes “jemi përpjekur të japim energji të re dhe t’i shtyjmë përpara çështjet”.

“Ne kemi arritur të shtyjmë një proces që ka ngecur me vite. Tek reforma jemi duke punuar me strategji. Si pjesë e reformës jemi duke punuar në hartimin e Ligjit për subjektet politike. Jemi të vetëdijshëm se ka hapësirë për avancim të kornizës ligjore”.

Bislimi ka deklaruar se në raportin e Komisionit Evropian është vlerësuar puna e Qeverisë si marrëveshja për targat.

Në marrëveshjen e arritur në Bruksel ishin tri pika. E para ishte që “Njësitet speciale policore të vendosura në pikë kalimet e përbashkëta kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite”.

“Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinje dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë”.

Ndërsa e dyta ishte thënë që “Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme”.

Si dhe pika e tretë ishte që “Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”.

Më 30 shtator të këtij viti në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian është arritur marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo pasi që 11 ditë më parë Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve që vijnë nga Serbia. Për të cilën masë reaguan nga Serbia, madje ishin bllokuar pika kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Videon nga mbledhja mund ta shikoni duke klikuar këtu./GazetaSinjali/