Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, deklaroi se Kosova dhe Serbia janë shumë më larg njëra-tjetrës sesa ishin në vitin 2011 kur ka filluar procesi i dialogut.
Bislimi gjatë panelit për “Hapat e ardhshëm për rajonin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian” në Seminarin e 102-të “Rose-Roth” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka thënë se në vitin 2011 Serbia nuk kishte pretendime për ndryshim kufijsh e as baza ushtarake në kufi me Kosovën.
“Sipas meje në vitin 2022 Kosova dhe Serbia nuk janë më afër sesa që ishin në vitin 2011 por janë shumë më larg njëra-tjetrës nga koha kur filloi dialogu. Në vitin 2011 Serbia kurrë nuk do të ngrite tema në lidhje me kufijtë, kurse tani nevojitej vetëm një vendim për të zbatuar marrëveshjen kur Serbia e ngriti çështjen e kufijve. Në vitin 2011 Serbia nuk i kishte 48 baza policore përgjatë kufirit me Kosovën, sot i kanë ato, dhe janë vetëm një kilometër larg kufirit me Kosovën”, tha ai.
Sipas zëvendëskryeministrit Bisimi palët në Bashkimin Evropian më shumë janë angazhuar për të nënshkruar marrëveshje sesa për ta zbatuar atë.
“Të gjitha përpjekjet e palëve në BE kanë qenë deri te nënshkrimi i marrëveshjes sepse nënshkrimi bëhej lajm, mund të dilnit para mediave dhe mund të pretendonit mirënjohje duke thënë se ‘falë vizionit tim dhe angazhimit tim arritëm marrëveshje’ por pas saj askush nuk ishte i interesuar se çfarë po ndodhë në terren”, shtoi Bislimi.
Më tutje ai tha se Serbia po fshihet prapa grupit të shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa për këto shtete tha se e kanë lidhur njohjen me procesin e dialogut.
“Serbia duket sikur nuk ka interes për t’u marrë me seriozisht me dialogun dhe kryesisht ata merren me problematikën energjetike dhe rreshtimin krahas Rusisë… Deri më tani shohim një mungesë vullneti te pala serbe që të angazhohet në mënyrë konstruktive qoftë për normalizimin të plotë apo për zgjidhjen e ndonjë prej problemeve ekzistuese sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të kaluara”, u shpreh Bislimi.
Sipas tij, të gjitha vendet anëtare të Bashkimi Evropian janë në një mendje për liberalizim të vizave që sipas tij pritet të ndodhë shumë shpejtë.