Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka konstatuar se “Qeveria [e Kosovës] ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze drejt Bashkimit Evropian”, tha zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.
Pasi pranoi Raportin e Progresit nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Bislimi në një konferencë të përbashkët për media me zyrtarin evropian, tha se një shtytje të madhe në përmbushjen e reformave që kërkohen për t’u anëtarësuar në BE do të ishte largimi i masave ndëshkuese të vendosura nga blloku evropian ndaj Kosovës.
“Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, në qeverisjen e mirë, progresi i mirë ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe përkushtimi në Bashkimin Evropian konfirmojnë se jemi duke bërë hapat e duhur në rrugën drejt të ardhmes evropiane. Largimi i masave ndëshkuese nga BE-ja do ta kthente motivimin dhe do të përshpejtonte edhe më shumë reformat”, tha Bislimi.
Më herët gjatë vitit, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ku banorët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.
Sipas Bislimit, Kosova ka dëshmuar se është aleate e BE-së, duke përafruar politikën e saj të jashtme, veçmas për sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, por sipas tj edhe BE-ja duhet të dëshmojë se e do dhe e sheh Kosovën brenda bllokut.
“Mosnjohja e plotë nga 27 shtetet anëtare të BE-së vazhdon ta dobësojë pozicionin e BE-së jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Vazhdimi i procesit të anëtarësimit varet nga vullneti politik dhe marrja e statusit të vendit kandidat nuk nënkupton njohje nga shtetet anëtare”, tha ai.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE fundin e vitit të kaluar. Nga vendet e rajonit, Kosova është e fundit sa i përket rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE, pasi është e vetmja që nuk ka status të vendit kandidat.
Bislimi tha se në raportin e sivjetmë nuk janë theksuar disa nga përparimet që i ka bërë Kosova.
“Sipas analizës sonë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, më përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike, të cilat është dashur të theksohen dhe vlerësohen më shumë në këtë raport, meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike dhe për më tepër janë rekomanduar në raportin e vitit të kaluar”, tha Bislimi.