image Bislimi i LDK-së ftohet në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Biden

Politikë

Bislimi i LDK-së ftohet në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Biden

news image

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Faton Bislimi, ka njoftuar se ka pranuar ftesë për pjesëmarrje në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ShBA-së, Joe Biden dhe zëvendëspresidentes, Kamala Harris, shkruan Gazeta Sinjali.

Por, Bislimi ka thënë se udhëtimi i tij për në Washington më 18 janar është i pamundur për shkak të masave që autoritetet amerikane kanë vendosur për pasagjerët që kalojnë qoftë edhe transit në zonën Schengen, për shkak të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

“Përkundër dëshirës që të jem prezent ne Capitol Hill në ceremoninë historike të përurimit presidencial për Biden, udhëtimi drejtë Washington-it po bëhet i pamundur, dhe jam detyruar të kthehem nga Vjena, si rezultat i protokolleve të ndalesës së hyrjes në SHBA të pasagjerëve që kalojnë qoftë edhe transit nëpër zonën Schengen (për shkak të Covid-19 dhe variantit të ri të virusit tanimë të konfirmuar nëpër shumë shtete, si dhe sigurisë së tejshtuar)”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Të jetë në listën e mysafirëve të ftuar e konfirmuar për pjesëmarrje në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të Biden dhe Harris, Bislimi thotë se është nderi më i madh jetësor për të dhe për atë që ai përfaqëson.

“…Është nderi më i madh jetësor për mua dhe për atë që unë përfaqësoj – së pari si shqiptar nga Kosova, si anëtar ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, por edhe si përfaqësues politik i Republikës sonë të re. Prezenca e emrit tim në listën e mysafirëve të konfirmuar të inaugurimit të Presidentit mbetet testament i palëkundur i vlerësimit të miqve të mi në Washington për bashkëpunimin dhe lidhjen e pashkëputshme që kemi”, ka shkruar tutje ai./Gazeta Sinjali/