Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur sot në një organizim të Zyrës së BE-së për takimin që ka pasur dje me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak. Bislimi ka thënë se ka dëgjuar shumë dezinformata lidhur me vizitën e tij në Bruksel, përfshirë gjoja takimin me Petar Petkovic dhe arritjen e marrëveshje për targat.
Bislimi ka thënë se s’është takuar me Petkoviqin që nga muaji korrik. Ai ka treguar se “ka elemente të diskutimit për mundësitë e daljes nga kriza, por s’ka marrëveshje”.
Ai ka thënë se për sa kohë është pjesë e Qeverisë asnjëherë s’është takuar me Goran Rakiqin, ndërkohë ka shtuar se Lista Serbe s’ka bërë asnjë kërkesë për ndonjë projekt që mbron apo avancon interesat e serbëve në Kosovë.
“Lista Serbe ka vite që është pjesë e institucioneve, unë kam qenë dhe jam zëvendëskryeministër, por me zotin Rakiq kam zero takime, zero kërkesa për projektet e tij që mbrojnë apo avancojnë interesat dhe zero iniciativa Listës Serbe në Kuvend. Mendoj se kjo është një mundësi e artë që ju të zgjidhni ato mekanizma që realisht promovojnë interesat e komunitetit, dhe jo interesat e klaneve të caktuara, politikëbërësve në Beograd”, ka thënë Bislimi.
Duke folur për këtë çështje, ai ka përmendur edhe daljen e Listës Serbe nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe vendimit të tyre për të bojkotuar zgjedhjet e ardhshme lokale në katër komunat veriore.
Ai tha se zgjedhjet në këto katër komuna i konsideron si një “mundësi të artë” që serbët të zgjedhin mekanizma që realisht promovojnë interesat e komunitetit, e jo siç tha ai, të klaneve të caktuara.