Kryenegociatori i Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, do të takohet të hënën në Bruksel me udhëheqësin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Lajçak ka thënë se kishte diskutime intensive dhe të rëndësishme me kryeministrin Kurti për hapat tutje në rrugën drejt normalizimit.
Ai po asht ka bërë të ditur se të hënën në Bruksel do të ketë një takim në nivel kryenegociatorësh.
“Isha në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendësin Bisilimi për rrugën përpara normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme se kemi kuptim të plotë për hapat dhe diskutime të rëndësishme për të gjitha aspektet. Do të kem diskutimet e njëjta nesër në Beograd dhe të hënën në Bruksel do të takohem me kryengociatorët nga të dy vendet. Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin dhe duhet të ide të qarta për hapat në vijim. Kishim diskutime intensive dhe shumë të rëndësishme me kryeministrin Kurti”, u shpreh Lajçak.
Vizita e ndërmjetësit evropian në Kosovë e Serbi vjen pas takimit të fundit të mbajtur me 2 maj në Bruksel, ku palët u dakorduan për Deklaratën për të Zhdukurit, ndërsa Kosova refuzoi propozimin e ekipit menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.