image Biserko: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi është çështje politike

Politikë

Biserko: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi është çështje politike

news image

Presidentja e Komitetit Serb të Helsinkit, Sonja Biserko ka deklaruar se çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është më tepër një çështje politike. Në një intervistë për Euronews Albania, Biserko ka nënvizuar se çështja është peng e statusit të Kosovës, që për Beogradin është ende i pazgjidhur, njofton Gazeta Sinjali.

Të gjitha minoritetet jetojnë në një lloj veçimi dhe komuniteti shqiptar është ndoshta më i prekuri sepse Kosova është ende një çështje e hapur për Beogradin dhe e lidhur direkt me zgjidhjen e statusit të saj”, tha Biserko.

Sipas aktivistes së njohur të të drejtave të njeriut, çështja duhet të përfshihet në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe të trajtohet me seriozitet.

Mendoj se kjo çështje duhet të përfshihet në dialogun Prishtinë-Beograd, sepse është një nga problemet e pazgjidhura dhe njerëzit jetojnë në një vakum. Dhe duke qenë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh, apo ndryshim kufijsh, situata e tyre duhet të zgjidhet në një mënyrë që garanton integrimin e tyre në shoqërinë serbe, në institucionet serbe dhe në kulturën serbe”, deklaroi presidentja e Komitetit Serb të Helsinkit.

Biserko ka shtuar më tej se faktori ndërkombëtar duhet të rrisë presionin ndaj Beogradit në mënyrë që të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara për integrimin e minoriteteve.

Ata duhet ta marrin këtë problem seriozisht dhe ta nxisin Serbinë të implementojë marrëveshjet e arritura mes dy palëve pas vitit 2000. Në 2001-shin, vit pas të cilit ka pasur tre marrëveshje për integrimin e komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore dhe publike, kjo gjë që nuk ka ndodhur. Në fillim u duk se kjo linjë do të ndiqej, por fatkeqësisht gjithçka ndaloi dhe fare pak njerëz janë integruar në këto institucione. Ndaj duhet të bëhet më shumë”, përfundoi Biserko.

/GazetaSinjali/