image Bisedimet nisin, por sërish me kushte të reja – kur mund të udhëtojnë kosovarët pa viza?

Politikë

Bisedimet nisin, por sërish me kushte të reja – kur mund të udhëtojnë kosovarët pa viza?

news image

Gjatë ditës së enjte, kur edhe u mbajt takimi i Grupit Punues për vizat i Këshillit Evropian, u raportua se Franca ka vendosur një kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën, “funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS”. Sipas raportimeve, të cilat më vonë i konfirmoi edhe vetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kushtëzimi francez është mbështetur nga Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Por një ditë pas, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka konfirmuar se disa shtete kanë kërkesa teknike, por që kjo nuk duhet të ndikojë në marrjen e vendimit, pasi në të kundërtën, vendosë kosovarët në pozitë diskriminuese.

“Presidentja Osmani potencoi se Kosova do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Por, diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën do të vazhdojnë në grupin punues të Këshillit të Bashkimit Evropian me datën 9 nëntor, ndërsa deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë edhe konsultime ndërmjet vete. E deri më 21 tetor, vendet anëtare të BE-së kanë afat që t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Të paktën kështu kanë thënë burimet e diplomatike të REL në Bruksel pas diskutimit të grupit punues të mbajtur të enjten në Bruksel.

Çka është ETIAS?

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, por ky sistem akoma nuk është funksional.

Në atë sistem, qytetarët e shteteve për të cilat janë liberalizuar vizat, duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre para se të udhëtojnë në BE. Atëherë do të marrin konfirmimin elektronik dhe kjo do të vlejë për tre vjet.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi është shtyrë disa herë për shkaqe teknike Ai pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, por do të bëhet plotësisht funksional më 1 nëntor të vitit 2023.

Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.

“Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shchengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje”, shkruhet në uebfaqen e ETIAS.

Padrejtësi apo dështim? Kjo është çështja

Kryetari i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e vlerësoi si padrejtësi mosliberalizimin e vizave ndaj Kosovës.

Tahiri, në një përgjigje për gazetën Nacionale, theksoi qartësisht se është i pajustifikuar fakti se vetëm kosovarët në Evropë nuk mund të lëvizin lirshëm.

“Mosliberalizimi i vizave, vazhdimi i debateve dhe diskutimeve nuk është asgjë tjetër vetëm një goditje ndaj Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Është e papranushme që në këto rrethana, në këtë situatë, që gjendet Kosova, të jëtë vendi i vetëm në Ballkan dhe në Evropë, i cili nuk mund të lëvizë lirshëm, nuk ka justifikim. Duhet që të kuptohet drejtë edhe qëndrimi ynë, mirëpo edhe përkushtimin që e kemi pasur tash e shumë vite. Liberalizimi i vizave është e drejtë legjitime, vendimi i Unionit Evropian është përgjegjësi e tyre”, ka thënë Tahiri.

Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret për liberalizmin e vizave.

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Pikë. Çdo gjë tjetër është arsyetim për zhagitje të mëtejme”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës shprehet optimiste për çështjen e vizave.

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla e ka konsideruar hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave diskutimin e Grupit Punues për Viza të Këshillit të BE-së që është mbajtur dje në Bruksel.

Sot në Bruksel, procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara. Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

E Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën qysh në vitin 2018.

Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret./Nacionale/

/GazetaSinjali/