image BIK shpërndan ligjëratën e Imamit nga Prishtina ku flet për anën e ndritshme të virusit

Kosovë

BIK shpërndan ligjëratën e Imamit nga Prishtina ku flet për anën e ndritshme të virusit

news image

Bashkësia Islame e Kosovës ka shpërndarë në faqen zyrtare në Facebook, një ligjëratë të Husamedin Abazit, i cili është imam në një xhami në Prishtinë, ku ai flet për anën e ndritshme të koronavirusit dhe thotë se është dhuratë nga Zoti.

Abazi ka reaguar ndaj atyre që e quajnë virusin “i poshtër”, “i shëmtuar”, “i keq”, “i pamëshirshëm” e “tinëzar”, duke thënë se ata që përdorin këto terme janë njerëz sipërfaqësor, të cilët nuk merren me gjërat dhe fenomenet në mënyrë më të thellë dhe serioze.

“Ne si besimtarë, jemi të bindur thellë se asgjë nuk ndodh pa caktimin e Zotit Fuqiplotë, dhe se gjithçka që ndodh, në të ka arsye dhe urtësira të ndryshme të cilat neve na thërrasin t’i studiojmë dhe t’i njohim ato. Edhe sëmundjet që na godasin, pa dyshim se ato nuk ndodhin rastësisht dhe pa kuptim, por prapa tyre fshihen mirësi dhe dhunti që i tejkalojnë dhimbjet dhe peripecitë me të cilat ballafaqohemi gjatë atyre sëmundjeve”, ka thënë Abazi.

Sipas Abazit, edhe ky virus është dhuratë nga Zoti.

“…duhet kuptuar se virusi, gripi dhe çdo sëmundje, janë dhurata nga i madhi Zot Fuqiplotë dhe se në çdo sëmundje ka urtësi dhe mësime të shumta të cilat i njohim dhe shumë nga to edhe nuk i njohim dhe nuk i dimë, por i njeh Zoti i Gjithëdijshëm dhe ua shfaqë ato njerëzve kohë pas kohe, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli, përmes shkaktimit të shkaqeve që i bëjnë gjeneratat e reja edhe përmes angazhimit të tyre intelektual të njohin fenomene, të cilat nuk i kanë njohur gjeneratat e mëhershme”, thuhet në ligjëratën e shpërndarë nga BIK.

Më poshtë gjeni ligjeratën e plotë:

Ana e ndritshme e sëmundjes (Virusit)!

Duke e pa çorodinë dhe mendjelehtësinë që po ndodh me çasjen që ka një masë e madhe ndaj virusit, e ndjej për obligim t’ua them dy fjalë.

Së pari: është shumë e shëmtuar kur i dëgjon profesionistët, mjekët, besimtarët e ndoshta edhe ndonjë teolog duke u shprehur për covid-19, omicronin, gripin, etj, se ishte: “i poshter”, “i shëmtuar”, “i keq”, “i pamëshirshëm”, “tinzar” e të ngjashme me këto shprehje pezhorative! Krejt kjo sjellje na bënë me dije se kemi të bëjmë me njerëz sipërfaqesor, të cilët nuk merren me gjërat dhe fenomenet në mënyrë më të thellë dhe më serioze. Ne si besimtarë, jemi të bindur thellë se asgjë nuk ndodh pa caktimin e Zotit Fuqiplotë, dhe se gjithçka që ndodh, në të ka arsye dhe urtësira të ndryshme të cilat neve na thërrasin t’i studiojmë dhe t’i njohim ato. Edhe sëmundjet që na godasin, pa dyshim se ato nuk ndodhin rastësisht dhe pa kuptim, por prapa tyre fshihen mirësi dhe dhunti që i tejkalojnë dhimbjet dhe peripecitë me të cilat ballafaqohemi gjatë atyre sëmundjeve. Allahu na njofton dhe thotë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve.”

(Sure Bekare, 2: 5).

Ndërsa Pejgamberi yne a.s thotë: “Çdo gjë që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, siklet, brengë, lëndim apo pikëllim, madje dhe gjëmbi kur e shpon atë veçse Allahu më këto ia shlyen mëkatet”.

Së dyti: duhet kuptuar se virusi, gripi dhe çdo sëmundje, janë dhurata nga i madhi Zot Fuqiplotë dhe se në çdo sëmundje ka urtësi dhe mësime të shumta të cilat i njohim dhe shumë nga to edhe nuk i njohim dhe nuk i dimë, por i njeh Zoti i Gjithedijshëm dhe ua shfaqë ato njerëzve kohë pas kohe, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli, përmes shkaktimit të shkaqeve që i bëjnë gjeneratat e reja edhe përmes angazhimit të tyre intelektual të njohin fenomene, të cilat nuk i kanë njohur gjeneratat e mëhershme. Muhammedi a.s thotë: “Kur njeriu ka të paracaktuar tek Allahu një pozitë të caktuar të cilën ai nuk e arrin me veprën e tij, atëherë Allahu e sprovon me atë që ai urren derisa ta arrijë atë pozitë që i është paracaktuar tek Allahu”. Po ashtu besimtari nuk harron kurrë se edhe e mira, edhe e keqja për të janë sprovë avancimi për të dhe jane hajr që nuk e përjetojnë të tjerët. Muhammedi a.s thotë: “Gjendja e besimtarit është e çuditshme, çdo gjendje e tij është e hajrit, dhe kjo s’i ngjet askujt pos tij! Kur i ndodh diçka e mirë, falënderon dhe kjo është e hajrit për të. Kur i ndodh ndonjë fatkeqësi, duron dhe kjo është sërish e hajrit për të. ”

I kujtoj vetës dhe juve që të jemi si Shurajh-i (Allahu e mëshiroftë!) i cili kur goditej nga ndonjë fatkeqësi thoshte: “Nuk jam goditur me ndonjë fatkeqësi veçse i kam kerkuar dhe falënderuar Allahun për katër gjëra:

-Të më jap durim në të.

-Të më furnizojë me thënien “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do kthehemi” gjatë saj.

-Që s’e ka bërë (këtë fatkeqësi) më të madhe sesa ajo që më ka goditur.

-Nuk ka bërë (qe fatkeqesia) të jetë në fenë time.”

Së treti: edhe në rastet kur i madhi Zot i godet me sëmundje ndëshkimi të pavëmendshmit, gjynahqarët dhe mohuesit, e bënë këtë me qëllim që t’i shkundë, kthjellë dhe t’i kthej tek Vetja, udhëzimi, mirësia dhe humanizmi. Zoti i godet ata, por dhe neve per te na tregu vogëlsinë tonë, pafuqinë, varësinë, esencën tonë të ngjashme me të virusit, embrionin, atomin dhe hiqin tonë! Na godet për të kuptu se sa e domosdoshme është nevoja jonë për Te, se ne pa Te jemi asgje, e kur e gjejmë Ate, kemi gjetur gjithçka. I Dërguari a.s thote: “Atij të cilit Allahu i do të mirën, i zbret një fatkeqësi.” Gjithashtu thotë: “Kur Allahu e do një popull, Ai e sprovon atë”.

Në fund e falënderoj Allahun që nga miresitë e Tij ndaj neve na dërgon kamje e skamje, shëndet e sëmundje, gëzime e pikëllime, ngritje e rënie… Krejt këto vetëm për të mirën tonë dhe të na lumturoi dhe të na vendosë ne xhenetin e dynjasë, para atij të ahiretit, e të cilin dëshmoj para Tij dhe para jush se ma ka mundësuar mua, familjes time dhe shume motrave e vëllezërve që i njoh. E si jo, kur më ka dhënë vite e dekada të qeta, të bukura e të lumtura dhe me shëndet të plotë e në adhurim te Tij dhe ndonje dite a jave me hedije sëmundje, brenga dhe shqetësime për të dëshiruar shumë e më shumë dhe punuar edhe më shumë për xhenetin e ahiretit, në të cilin jo vetëm që nuk do ketë më asnjë çast sëmundjeje, brënge a shqetësimi, por do ketë për ne “atë që syri se ka pa, veshi së ka dëgju dhe as që i ka shkuar mendja” ndokujt nga ne!

P.s Krejt kjo nuk eshte thirrje mos me e trajtu virusin dhe çdo lloj semundje me trajtime serioze mjekesore.

Perndryshe feja nuk na e lejon qe ne me e deshiru semundjen dhe sproven, por dihet mirefilli se ato do na ndodhin domosdoshmerisht dhe pandaj duhet ditur si t’i trajtojme dhe si te ballafaqohemi me to, si ne aspektin fizik dhe ate metafizik.

Husamedin ef. ABAZI – autori është imam në Xhaminë “Hasan Beg” në Prishtinë.

/GazetaSinjali/