image Bieber: Serbia mori mbështetje më të madhe se asnjëherë në dialog me Kosovën prej 24 shkurtit 2022

Politikë

Bieber: Serbia mori mbështetje më të madhe se asnjëherë në dialog me Kosovën prej 24 shkurtit 2022

news image

Historiani dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber ka akuzuar Serbinë për mashtrim sa i përket pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare, dhe veçanërisht në lidhje me agresionin rus në Ukrainë. 

“Politika e jashtme kontradiktore e Serbisë ka përfshirë dënimin e agresionit rus dhe shitjen e armëve për Ukrainën derisa nuk vinte sanksione kundër Rusisë”, ka thënë Biebier në shkrimin e tij “Akti i inskenuar balancues i Beogradit.

Sipas tij, mundësia që Serbia të pozicionohej qartë ishte e madhe pas 24 shkurtit 2022. Ai shprehet i bindur se përpjekjet e Perëndimit që ta bëjnë Serbinë të mos rreshtohet krejtësisht me Lindjen (Rusinë e Kinën) nuk do të japin rezultat shkaku që është vetë regjimi i Vuçiqit që fton ndikimin e tyre në vendin e tij.

Bieber ka përmendur edhe bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë duke besuar që kjo e fundit ka marrë mbështetje më të madhe se asnjëherë nga Perëndimi.

“Për më tepër, gjatë bisedimeve të udhëhequra nga BE-ja dhe ShBA-ja mes Serbisë dhe Kosovës, pozicionet e Serbisë morën mbështetje domethënshëm më të madhe se para invazionit rus në Ukrainë”, shkroi ai.

“Politika serbe e ambivalencës nuk i sjell përfitime Serbisë, BE-së e as ShBA-së”, thuhet në shkrimin e tij, ku propozohet që të rritet ndikimi i shoqërisë civile në Beograd për t’i bërë presion regjimit që të japë më shumë liri për mediat.

“Problemi kryesor në Serbi nuk është ambiguiteti i saj gjeopolitik por më shumë regjimi i saj autoritar që ushqen sentimentin anti-Perëndimor”, ka përfunduar z. Bieber.

/GazetaSinjali/